YouVersion Logo
Search Icon

1 Korintasve 12

12
Dhuntitë shpirtërore
1Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të shenjtë, nuk dua të jeni të paditur. 2Ju e dini se, kur ishit prej kombeve, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë. 3Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu», nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i shenjtë.
4Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt. 5Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot. 6Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë.
7Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve. 8Dikujt Shpirti i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i jep dhuntinë për të folur me dituri. 9Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar, 10dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve. 11Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij.
Një trup, shumë gjymtyrë
12Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti. 13Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt.
14Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë. 15Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? 16E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? 17Nëse i gjithë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja? 18Por Perëndia i vuri gjymtyrët në trup një nga një, ashtu siç deshi.
19Nëse të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? 20Por tani ka shumë gjymtyrë dhe një trup. 21Syri nuk mund t'i thotë dorës: «Nuk ta kam nevojën» e as koka nuk mund t'u thotë këmbëve: «Nuk jua kam nevojën». 22Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të papërfillshmet, janë më të nevojshmet. 23Ne kujdesemi më shumë për gjymtyrët që i vlerësojmë më pak dhe përpiqemi t'i zbukurojmë sa më shumë gjymtyrët më të pahijshme, 24gjë që nuk e kanë të nevojshme gjymtyrët e hijshme.
Por Perëndia e ndërtoi trupin duke u dhënë më shumë nderim gjymtyrëve më të papërfillshme, 25që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët të kujdesen për njëra-tjetrën. 26Nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të. Nëse njëra gjymtyrë nderohet, të gjitha gëzohen me të.
27Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij. 28Prandaj Perëndia i caktoi disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata me dhuntitë për të bërë mrekulli, të shërimeve, të përkujdesjes, të drejtimit e të larmive të gjuhëve. 29A mos janë të gjithë apostuj, apo mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues, apo mos kanë të gjithë dhuntinë për të bërë mrekulli? 30A mos kanë të gjithë dhuntinë e shërimeve, apo mos flasin të gjithë shumë gjuhë? A mos janë të gjithë shpjegues gjuhësh? 31Por kërkoni me zell dhuntitë më të larta.
Dashuria
Unë po ju tregoj udhën më të lartë.

Currently Selected:

1 Korintasve 12: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in