YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 37

37
Isaia i jep zemër Ezekisë
1Mbreti Ezeki, kur dëgjoi këto fjalë, shqeu rrobat, u vesh me grathore e shkoi në tempullin e Zotit. 2Mandej dërgoi te profeti Isai Eliakimin, kujdestarin e pallatit mbretëror, Shebnaun, shkruesin, dhe pleqtë e priftërinjve të veshur me grathore. 3Ata i thanë: «Kështu thotë Ezekia: “Kjo ditë është ditë hidhërimi, ndëshkimi e turpi, se fëmijët janë gati për të dalë nga barku i nënës, por ajo nuk ka fuqi t'i lindë. 4Ndoshta Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi fjalët e kreut të zyrtarëve, që dërgoi zotëria e tij, mbreti i Asirisë, për të fyer Perëndinë e gjallë dhe e ndëshkon për fjalët, që vetë Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi. Thuaj një lutje për tepricën që ka mbetur!”». 5Kur shërbëtorët e mbretit Ezeki mbërritën tek Isaia, 6ai u tha: «Thuajini zotërisë suaj se kështu thotë Zoti: “Mos ki frikë nga fjalët që dëgjove, me të cilat më fyen shërbëtorët e mbretit të Asirisë. 7Ja, unë do t'i dërgoj një shpirt e, sapo të marrë vesh një lajm, ai do të kthehet në vendin e tij. Atje do të bjerë prej shpatës”».
Tjetër kërcënim i Sankeribit
8Kreu i zyrtarëve të Asirisë u kthye ngaqë e kishte marrë vesh se mbreti i Asirisë kishte ikur nga Lakishi për të sulmuar Libnahun. 9Mbreti i Asirisë mori vesh se Tirhakahu, mbreti i Kushit, ishte nisur për ta sulmuar. Atëherë Sankeribi dërgoi sërish lajmëtarët e vet tek Ezekia e u tha: 10«Kështu do t'i thoni Ezekisë, mbretit të Judës: mos e lër Perëndinë tënd, tek i cili shpreson, të të mashtrojë duke të të thënë se Jerusalemi nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë. 11Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve e sesi i kanë shkatërruar. Vetëm ti do të shpëtosh? 12A i shpëtuan perënditë kombet e veta? Etërit e mi shkatërruan Gozanin, Haranin, Recefin dhe edenasit që jetonin në Telasar. 13Ku janë mbreti i Hamatit, mbreti i Arpadit, mbreti i Lairit, Sefarvaimit, Henës e Avahut?».
Lutja e Ezekisë
14Ezekia mori letrën nga dora e lajmëtarëve dhe, pasi e lexoi, shkoi në tempullin e Zotit dhe e hapi rrotullën para Zotit. 15Mandej iu lut Zotit e tha: 16«O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit, ti që ulesh mbi kerubë, ti je i vetmi Perëndi i të gjitha mbretërive të dheut, ti e krijove qiellin e tokën. 17Ule veshin, o Zot, e dëgjo! Hapi sytë, o Zot, e shiko! Dëgjoji fjalët që ka thënë Sankeribi për të fyer Perëndinë e gjallë. 18Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkretuar të gjitha vendet e tokat e tyre. 19Perënditë e tyre i kanë djegur në zjarr, sepse nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, idhuj druri e guri, që ata i shkatërruan. 20E tani, o Zot, Perëndia ynë, shpëtona nga duart e mbretit të Asirisë, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e dheut se vetëm ti je Zoti».
Përgjigja e Zotit përmes Isaisë
21Atëherë Isaia, biri i Amosit, i dërgoi lajm Ezekisë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: më je lutur për Sankeribin, mbretin e Asirisë. 22Ja fjalët që unë, Zoti, shqiptova kundër tij:
të përbuz, të përqesh
virgjëresha, bija e Sionit!
Prapa teje kokën tund
bija e Jerusalemit.
23Me kë je tallur, kë ke fyer?
Kundër kujt zërin ke ngritur
e tërë mburrje e ke parë?
Kundër të shenjtit të Izraelit!
24Përmes shërbëtorëve të tu
ti ke fyer Zotin
e me vete ke thënë:
“Me karrocat e mia të shumta
majë maleve u ngjita,
lartësive më të thella të Libanit.
Më të lartat cedra ia preva
dhe pyjet më të bukura.
Mbërrita në skutat e tij më të larta,
në pyjet e tij më të dendura.
25Hapa puse e piva ujë,
me shputat e këmbëve të mia
mbarë lumenjtë e Egjiptit thava”.
26Por, a nuk ke dëgjuar vallë?
Prej kohësh të lashta këtë e caktova,
që nga ditët e hershme e përftova,
e tash po e zbatoj.
Ty të caktova të sjellësh rrënim
e qytetet e fortifikuara
në pirgje gërmadhash t'i kthesh.
27Banorët e tyre u tmerruan,
duart iu mpinë e u drodhën.
U bënë si bari i fushës
e si bari i lëndinave,
si bari i pullazeve,
që thahet pa mbirë mirë.
28Unë e di mirë kur rri,
kur hyn e kur del.
Di edhe tërbimin
që kundër meje ke.
29Je ndezur kundër meje
e krenaria jote në vesh më erdhi,
prandaj në hundë unazën do të ta vë
e në gojë frerin e hekurt,
që pas të të kthej
udhës nga ke ardhur.
30E për ty, Ezeki, kjo do të jetë shenja: këtë vit do të hani çka është rritur vetë, vitin tjetër çka do të ketë mbirë vetë, ndërsa vitin e tretë do të mbillni e do të korrni, do të mbillni vreshta e do të hani frutat e tyre. 31Ata që do të mbesin nga shtëpia e Judës, do t'i lëshojnë rrënjët thellë në tokë e degët do t'u mbushen plot fryte. 32Prej Jerusalemit do të dalë populli i mbetur, prej malit të Sionit do të ngrihen ata që kanë shpëtuar. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit.
33Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: ai nuk do të hyjë në këtë qytet e nuk do ta sulmojë me shigjeta. Nuk do t'i mësyjë nën mbrojtjen e shqyteve e as ledh nuk do të gërmojë rreth tij. 34Do të kthehet rrugës nga erdhi e në këtë qytet nuk do të hyjë, kumton Zoti. 35Këtë qytet do ta mbroj vetë, për vete e për hir të Davidit, shërbëtorit tim».
Humbja dhe vdekja e Sankeribit
36Atëherë engjëlli i Zotit sulmoi fushimin e asirianëve dhe vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë luftëtarë. Kur u ngritën herët në mëngjes, panë gjithë ato kufoma të vdekurish. 37Atëherë Sankeribi, mbreti i Asirisë, ngriti fushimin, u kthye pas e u vendos në Ninivë. 38E teksa po adhuronte në tempullin e Nisrokut, perëndisë së tij, Adrameleku e Sarecerin, bijtë e tij, e vranë Sankeribin me shpatë dhe ia mbathën për në Ararat. Në vend të tij mbretëroi Esarhadoni, i biri.

Currently Selected:

Isaia 37: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in