YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 13

13
Brezi
1Kështu më tha Zoti: «Shko e blej për vete një brez prej liri dhe vëre rreth ijëve pa e futur në ujë». 2E bleva brezin, siç më kishte thënë Zoti, dhe e vura rreth ijëve. 3Pastaj, fjala e Zotit m'u drejtua për së dyti: 4«Merre brezin që bleve dhe ke në ijë, ngrihu, shko në Eufrat dhe fshihe atje, në plasën e një shkëmbi». 5Atëherë shkova dhe e fsheha në Eufrat, siç më kishte urdhëruar Zoti. 6Pas shumë ditësh, Zoti më tha: «Ngrihu, shko në Eufrat dhe merre prej andej brezin që të urdhërova të fshehësh atje». 7Shkova në Eufrat, gërmova dhe e mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Dhe, ja, brezi ishte shpërbërë e s'i duhej gjë kujt.
8Atëherë m'u drejtua fjala e Zotit e më tha: 9«Kështu thotë Zoti: njësoj do ta shpërbëj krenarinë e Judës dhe krenarinë e madhe të Jerusalemit. 10Ky popull i mbrapshtë, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që jeton në zemërngurtësi e shkon pas perëndive të huaj për t'u shërbyer e për t'i adhuruar, do të jetë si ky brez, që s'i duhet gjë kujt. 11Sepse, siç ngjishet brezi ijëve të një burri, ashtu e pata ngjeshur rreth meje mbarë shtëpinë e Izraelit e mbarë shtëpinë e Judës, kumton Zoti, që të ishin populli im, emri im, lavdi im e nderi im, por nuk më dëgjuan.
Kacekët
12Do t'u thuash këtë fjalë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: çdo kacek duhet të mbushet me verë”. E ata do të të thonë: “A nuk e dimë se çdo kacek duhet të mbushet me verë?”. 13Atëherë ti do t'u thuash: “Kështu thotë Zoti: ja, do t'i bëj rrumbull e do t'i deh të gjithë banorët e kësaj toke, mbretërit që ulen mbi fronin e Davidit, profetët e mbarë banorët e Jerusalemit. 14Do t'i përplas me njëri-tjetrin, etër e bij njësoj, kumton Zoti. As dhimbja, as keqardhja, as mëshira nuk do të më ndalojnë t'i rrënoj”».
Shpërngulja
15Dëgjoni, mbani vesh e mos u krenoni,
se është Zoti ai që po flet.
16Jepini lavdi Zotit, Perëndisë tuaj,
para se të bjerë terri
e para se t'u pengohen këmbët
mbi male në mugëtirë.
Ju prisni dritën,
por ai e kthen në terratisje
e kthen në sterrë.
17Nëse nuk do të dëgjoni,
do të më vajtojë shpirti në fshehtësi
prej mendjemadhësisë suaj.
Lot do të derdhin e do të rrjedhin sytë e mi,
se do të robërohet grigja e Zotit.
18Thuajini mbretit e nënës mbretëreshë:
«Uluni poshtë,
se ju ra prej kokës
kurora e shkëlqimit tuaj».
19U ndrynë qytetet e Negevit
e nuk ka kush t'i hapë,
u shpërngul Juda mbarë,
krejt u shpërngul.
20Çojini sytë,
shikoni ata që vijnë nga veriu.
Ku është tufa që të është dhënë,
grigja jote e bukur?
21Çfarë do të thuash,
kur ai të vërë mbi ty
ata që i zure miq?
A nuk do të të zënë dhimbjet
si gruan kur lind?
22E nëse thua në zemrën tënde:
«Përse më goditën këto?»,
shkak është paudhësia jote e madhe
që të është përvjelë fundi
e je përdhunuar.
23A mund të ndërrojë lëkurë kushiti,
apo leopardi njollat?
Po ju, të mësuar të bëni keq,
a mund të bëni mirë?
24Do t'ju shpërndaj si bykun
që e merr era e shkretëtirës.
25Ky është shorti yt,
pjesa që mata për ty, kumton Zoti,
se më harrove mua
e i besove mashtrimit.
26Prandaj edhe unë do të ta ngre fundin deri në fytyrë,
që të shihet turpi yt.
27I shoh kurvëritë e tua,
ofshamat e tua,
ligësinë e tradhtive të tua,
pështirësitë e tua, në kodrinat e arave.
Mjerë ti, Jerusalem!
Ti nuk je i pastër.
Deri kur?

Currently Selected:

Jeremia 13: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in