YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 102

102
1Lutje e të mjerit, kur është i hidhëruar dhe brengën e tij e nxjerr para Zotit.
2O Zot, dëgjoje lutjen time
e klithma ime ardhtë te ti.
3Mos e fshih fytyrën tënde prej meje
ditën e fatkeqësisë sime,
prire veshin tënd drejt meje
ditën që të thërras
e dëgjomë sa më shpejt.
4Se ditët e mia po zhduken si tymi,
eshtrat po më bëhen shkrumb si prushi.
5Zemra po më vyshket si bari e po thahet,
kam harruar të ha edhe bukën time.
6Prej ofshamës së rënkimit tim
jam bërë kockë e lëkurë.
7Jam bërë si pelikani në shkretëtirë,
i ngjaj kukuvajkës ndër rrënoja.
8Gjumi nuk më merr,
jam si trumcaku i vetmuar mbi çati.
9Armiqtë më përqeshin tërë ditën,
edhe ata që më thurin lavde
nëmin në emrin tim.
10Po ha hi si bukë,
pijen e përziej me lot.
11Për shkak të zemërimit e furisë sate,
lart më ngrite, por mandej më plandose.
12Ditët e mia janë si hija e muzgut
e unë po thahem si bari.
13Por ti, o Zot, mbetesh në amshim,
kujtimi yt brez pas brezi.
14Do të ngrihesh e do të kesh dhembshuri për Sionin,
se erdhi koha të tregohesh i mëshirshëm me të;
po, erdhi koha e caktuar!
15Shërbëtorët e tu i duan gurët e tij,
u dhimbset edhe pluhuri i tij.
16Atëherë kombet do ta druajnë emrin e Zotit
e gjithë mbretërit e tokës lavdinë e tij,
17kur Zoti ta ndërtojë Sionin
e në lavdinë e tij të shfaqet.
18Përgjërimin e të mjerëve e vuri re
dhe lutjen e tyre nuk e shpërfilli.
19Le të shkruhet kjo për brezninë e ardhshme
dhe populli, që do të krijohet, le të lavdërojë Zotin.
20Se Zoti pa nga shenjtërorja e tij e lartë,
prej qiellit hodhi vështrimin e tij mbi tokë,
21për të dëgjuar rënkimin e të robëruarve,
për të shpëtuar të dënuarit me vdekje,
22që emri i Zotit të shpallet në Sion
dhe lavdërimi i tij në Jerusalem,
23kur popujt të mblidhen tok,
kur mbretëritë t'i shërbejnë Zotit.
24Udhës ai m'i pakësoi fuqitë
e ditët m'i shkurtoi.
25E thashë: «O Perëndia im,
vitet e tua mbeten brez pas brezi;
mos më merr në mes të ditëve të mia!
26Së lashti ti themelove tokën,
qiejt janë vepra e duarve të tua.
27Do të marrin fund,
por ti do të mbetesh;
të gjitha do të vjetrohen si rrobë,
do t'i ndërrosh si petk e do të brehen.
28Ti do të mbetesh po ai
dhe vitet e tua nuk do të kenë fund.
29Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim,
pasardhësit e tyre do të jenë të fortë para teje».

Currently Selected:

Psalmet 102: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in