YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 107

107
1Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë.
2Le ta thonë të shpenguarit prej Zotit,
ata që prej dorës së armikut i shpengoi
3e bashkë i mblodhi prej vendeve të huaja,
prej lindjes e prej perëndimit,
prej veriut e prej anës së detit.
4Endeshin nëpër shkretëtirë, në vend të thatë,
pa e gjetur udhën për ndonjë qytet të banuar.
5Kishin uri, kishin etje,
po u këputej shpirti.
6Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
7U priu në një udhë të drejtë,
që në një qytet të banuar të shkonin.
8Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
9Se ai e ngiu shpirtin e të eturit,
me të mira e mbushi shpirtin e të uriturit.
10Banonin në errësirë e në terr,
të robëruar në mjerim e në pranga.
11Kishin kundërshtuar urdhrin e Perëndisë,
kishin përbuzur këshillën e të Tejlartit.
12Prandaj ua përuli zemrën me mundime,
u rrëzuan e s'kish kush t'i ndihmonte.
13Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
14Prej errësirës e prej territ i nxori,
vargonjtë e tyre i këputi.
15Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
16Ai i copëtoi portat prej bronzi,
shulat prej hekuri i theu.
17Ishin marrosur prej jetës së shthurur,
ishin mjeruar prej paudhësisë së tyre.
18Nuk u donte shpirti asnjë lloj ushqimi,
kishin mbërritur te portat e vdekjes.
19Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
20Fjalën e vet dërgoi e i shëroi,
prej gropës së varrit i shpëtoi.
21Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
22Le t'i kushtojnë fli falënderimi,
le të shpallin veprat e tij me ngazëllim.
23Ata që lundrojnë në det me anije,
që nëpër ujërat e shumtë bëjnë tregti,
24ata i kanë parë veprat e Zotit
dhe mrekullitë e tij nëpër thellësi.
25Ai foli dhe shpërtheu era e stuhishme,
dallgët e detit lart u ngritën.
26Ngjiten në qiell, zbresin në humnerë,
shpirti u këputet prej rrezikut.
27Lëkunden e dridhen si të dehur,
tërë mjeshtëria u është sosur.
28Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i nxori prej mjerimeve.
29Stuhinë e bëri bunacë,
u qetësuan valët e detit.
30Prej qetësimit të valëve u gëzuan,
në limanin e dëshiruar ai u priu.
31Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
32Le ta lartësojnë në kuvendin e popullit,
le ta lavdërojnë në këshillin e pleqve.
33Ai i ktheu lumenjtë në shkretëtirë,
burimet e ujërave në vend të thatë.
34Tokën pjellore e ktheu në kripore,
për shkak të ligësisë së banorëve të saj.
35Shkretëtirën e shndërroi në liqen,
tokën e thatë në burime ujërash.
36Atje i strehoi të uriturit,
atje ngritën qytete për të banuar.
37Mbollën ara, mbëltuan vreshta,
që dhanë prodhim të mbarë.
38I bekoi e fort u shumuan,
bagëtinë nuk ua pakësoi.
39Por mandej u mpakën e u poshtëruan
prej mundimit të mjerimit e dhimbjes.
40Përçmim hodhi mbi prijësit,
i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.
41Të varfrin e shpëtoi nga mjerimi,
familjet ua shtoi porsi bagëtitë.
42Do të shohin të drejtët e do të gëzojnë,
çdo paudhësi gojën do të mbyllë.
43Kush është i urtë le t'i ruajë këto
e mirësinë e Zotit le ta kuptojë.

Currently Selected:

Psalmet 107: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in