YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 32

32
1Himn i Davidit.
Lum kujt iu fal faji,
që mëkati iu mbulua.
2Lum njeriu, që Zoti nuk e gjykon fajtor,
në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
3Unë heshtja e kockat po më treteshin,
rënkoja gjithë ditën.
4Dora jote rëndonte mbi mua ditë e natë,
fuqia po më mpakej si në zhegun e verës. selah
5Atëherë të dëfteva mëkatin tim
e fajin tim nuk ta fsheha.
Thashë: «Do t'ia rrëfej paudhësitë Zotit»;
ti e fale fajin e mëkatin tim. selah
6Le të të lutet për këtë çdo besnik
në kohë mundimesh të mëdha#32.6 ose: kur të zbulojë mëkatin e tij
dhe vërshimi i ujërave përmbytës
nuk ka për ta zënë.
7Ti je vendstrehimi im,
ti më ruan prej fatkeqësisë
e me brohori shpëtimi më rrethon. selah
8«Do të të jap mençuri
e udhën, ku duhet të ecësh, do të ta mësoj,
do të të jap këshilla
e sytë mbi ty do t'i mbaj».
9Mos u bëni si kali a si mushka, që s'kanë mend,
kapistër e fre lypset për t'i mbajtur,
që mos të të afrohen#32.9 ose: përndryshe nuk të afrohen.
10Të shumta janë mundimet e të paudhit,
por kush beson në Zotin rrethohet me mirësi.
11Gëzohuni në Zotin e ngazëlleni, o të drejtë!
Brohoritni të gjithë ju, o zemërdrejtë!

Currently Selected:

Psalmet 32: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in