YouVersion Logo
Search Icon

Zbulesa 7

7
Numri i të vulosurve
1Pastaj pashë katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës. Ata mbanin katër erërat e tokës, në mënyrë që të mos frynte erë mbi tokë, mbi det apo mbi ndonjë pemë. 2Pashë edhe një engjëll tjetër, që ngjitej andej nga lind dielli dhe kishte vulën e Perëndisë së gjallë. Ai thirri me zë të fortë katër engjëjt, të cilëve u ishte dhënë pushteti të dëmtojnë tokën dhe detin 3e u tha: «Mos e dëmtoni as tokën, as detin e as pemët, derisa të vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë».
4Dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga gjithë fiset e bijve të Izraelit.
5Dymbëdhjetë mijë të vulosur nga fisi i Judës; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Rubenit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Gadit; 6dymbëdhjetë mijë nga fisi i Asherit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Neftalimit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Manaseut; 7dymbëdhjetë mijë nga fisi i Simeonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Levit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Isaharit; 8dymbëdhjetë mijë nga fisi i Zabulonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Jozefit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Benjaminit.
Nga çdo komb
9Pastaj pashë një turmë të madhe nga çdo komb, fis, popull e gjuhë, që askush nuk mund ta numëronte. Turma qëndronte para fronit e para Qengjit, veshur në të bardha e me palma në duar. 10Njerëzit e turmës thërrisnin me zë të lartë:
«Shpëtimi vjen nga Perëndia ynë#7.10 ose: shpëtimi i përket Perëndisë tonë
që rri ulur në fron dhe nga Qengji».
11Të gjithë engjëjt qëndronin përreth fronit, pleqve dhe katër gjallesave. Pastaj ranë përmbys para fronit me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë 12kështu:
«Amen!
Bekimi, lavdia,
urtia, falënderimi,
nderi, fuqia e pushteti
janë të Perëndisë tonë,
në shekuj të shekujve.
Amen!».
13Atëherë një nga pleqtë më pyeti: «Kush janë këta të veshur me rroba të bardha? Nga kanë ardhur?». 14Unë iu përgjigja: «Imzot, ti e di». Ai më tha:
«Këta janë ata
që kanë ardhur
nga përndjekja e madhe.
Ata i kanë larë rrobat
dhe i kanë zbardhur ato
me gjakun e Qengjit.
15Prandaj qëndrojnë
para fronit të Perëndisë
e i shërbejnë ditë e natë
në tempullin e tij.
Ai që rri në fron
do të banojë përherë mes tyre.
16Nuk do të kenë më
as uri,
as etje
e as dielli,
as i nxehti
nuk do t'i djegë më.
17Qengji që rri në mes të fronit
do të jetë bariu i tyre
dhe do t'i drejtojë
për te burimet e ujërave të jetës
dhe Perëndia do të fshijë çdo lot
nga sytë e tyre».

Currently Selected:

Zbulesa 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in