YouVersion Logo
Search Icon

Siraku 45

45
1Nxori prej tij një njeri të mëshirshëm
që gjeti hir në sytë e çdo gjallese,
i dashur nga Perëndia e njerëzit,
Moisiun, që la kujtim të bekuar.
2I dha të njëjtën lavdi si të shenjtëve,
e madhëroi, për të trembur armiqtë.
3Me fjalën e vet bëri mrekulli,
Zoti i dha lavdi para mbretërve,
i dha urdhra për popullin
e i shfaqi lavdinë e vet.
4E shenjtëroi me besnikëri e butësi,
e zgjodhi mes tërë njerëzve.
5E bëri t'ia dëgjonte zërin,
i priu për te reja,
ia dha urdhërimet ballë për ballë,
ligjin e jetës e të diturisë,
që t'i mësonte Jakobit besëlidhjen
e vendimet e tij Izraelit.
6Njësoj lartoi Aronin e shenjtë,
vëllanë e tij prej fisit të Levit.
7Bëri me të besëlidhje të përjetshme,
i dha priftërinë e popullit.
E lumturoi me hijeshi,
e veshi me petk lavdie.
8E veshi me shkëlqim të përkryer,
e forcoi me shenjat e fuqisë:
nënpetkun, mbipetkun dhe efodin.
9E rrethoi me shegë,
e mbështolli me shumë zilka të arta,
për të lëshuar tinguj kur të ecte,
që t'i dëgjohej tringëllima në tempull,
si kujtesë për popullin e vet,
10me petk të shenjtë të artë e vjollcë,
prej purpuri me punime qëndismash,
me parzmoren e gjykimit, me kumtin e së vërtetës,
me fill të dredhur, vepër zejtarie,
11me gurë të çmuar, gdhendur si vula,
në punim ari, vepër e arpunuesit,
për të përkujtuar me shkronja të gdhendura
fiset e Izraelit me numër.
12Mbi kësulë kurorë ari,
gdhendur me vulën e shenjtërisë,
mburrje dhe nderim, vepër mjeshtërore,
stoli e këndshme për sytë.
13Gjëra të tilla s'qenë bërë para tij,
askush tjetër s'i kishte veshur kurrë,
përveç bijve të tij
e pasardhësve të tij përgjithmonë.
14Flitë e tij ishin fli shkrumbimi,
çdo ditë nga dy pa ndërprerje.
15Moisiu i vuri duart,
e leu me vajin e shenjtë.
Qe besëlidhje e amshuar për të
dhe për farën e tij sa të jetë qielli,
për të kryer shërbesën e priftërinë,
për të bekuar me emrin e Zotit popullin e tij.
16E zgjodhi nga të gjitha gjallesat,
për t'i kushtuar fryte Zotit,
temjan dhe erë të mirë si kujtim,
për të kërkuar falje për popullin e vet.
17Me urdhërimet e veta
i dha pushtetin e gjyqeve sipas rregullave,
që t'i mësonte Jakobit dëshmitë
dhe të ndrinte Izraelin me ligjin e tij.
18Të huajt bënë përbetime kundër tij,
e lakmuan në shkretëtirë
Datani, Abirami e ndjekësit e tyre,
si dhe bashkësia e Korahut
e zemëruar dhe e tërbuar.
19Zoti e pa e nuk i pëlqeu,
i dërrmoi me zemërim të furishëm,
bëri mrekulli kundër tyre,
i përpiu në flakët e zjarrit të vet.
20Ia shtoi lavdinë Aronit
e i dha trashëgimi,
i caktoi të lashtat e para,
ai përgatiti bukën e të lashtave begatisht.
21Ata hanë flinë e Zotit,
se ia dha atij dhe pasardhësve të tij,
22ndonëse në tokën e popullit s'ka trashëgimi
dhe nuk ka pjesë me popullin,
se ai vetë është hisja e trashëgimia e tyre.
23Finehasi, biri i Eleazarit, qe i treti në lavdi,
se ruajti me zell drojën e Zotit.
Kur populli u ngrit, qëndroi
me mirësinë e shpirtit të vet të gatshëm
e u lut për faljen e Izraelit.
24Prandaj iu dha besëlidhja e paqes,
që t'u printe të shenjtëve e popullit të vet,
që ai e pasardhësit e tij
ta gëzonin madhështinë e priftërisë në amshim.
25Besëlidhja iu dha Davidit,
të birit të Jeseut nga bijtë e Judës:
mbretëria trashëgohet nga biri në bir!
Edhe trashëgimtarëve të Aronit iu dha trashëgimia.
26Ai ju dhëntë urtinë e zemrës,
që t'ia gjykoni popullin me drejtësi,
që të mos zhduket begatia e tyre
e lavdia e tyre të mbetet ndër brezni.

Currently Selected:

Siraku 45: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in