YouVersion Logo
Search Icon

Siraku 48

48
1Doli Elia, profet si zjarri,
fjala e tij digjte si llamba.
2Ai solli mbi ta zinë e bukës,
ua mpaku numrin me zellin e tij.
3Me fjalën e Zotit e mbylli qiellin
dhe zbriti prej tij zjarrin tri herë.
4Sa i lavdishëm ishe, o Eli, me mrekullitë e tua!
Kush mund të krenohet si ti?
5Ngrite të vdekurin nga vdekja
e nga skëterra me fjalën e të Tejlartit.
6I fundose mbretërit në rrënim
dhe të lavdishmit i hodhe nga shtrati.
7Në Sina dëgjove qortimin,
gjykimin për hakmarrje në Horeb.
8Vajose mbretër për të kryer shpagimin,
profetë që të vinin pas teje.
9U more nga një shtjellë zjarri,
në karrocën me kuaj të zjarrtë.
10Qe shkruar të qortoje në kohë,
për të zbutur zemërimin para se të shpërthente,
për t'i kthyer te fëmijët zemrat e prindërve,
për të përtërirë fiset e Jakobit.
11Lum ata që të panë
e ranë duke të dashur!
Edhe ne do të jetojmë.
12Kur u mbështoll Elia me shtjellë,
Eliseu u mbush me shpirtin e tij,
s'u drodh para princave të kohës së vet,
askush s'e vuri nën sundim.
13Asgjë nuk ishte përtej mundësive të tij,
edhe i vdekur i profetizoi trupi.
14Gjatë jetës bëri mrekulli,
edhe në vdekje të mrekullueshme veprat e tij.
15Me të gjitha këto nuk u pendua populli
e nuk i la mëkatet,
derisa u shpërngul nga toka e vet
e u shpërnda në mbarë dheun.
16Mbeti një popull i vogël
me princin nga shtëpia e Davidit.
Disa prej tyre vepruan drejt,
por të tjerë i shtuan mëkatet.
17Ezekia fortifikoi qytetin
e mes tij solli ujin,
gërmoi shkëmbin me hekur
e hapi sterna për ujë.
18Në kohën e tij ia behu Sankeribi,
dërgoi Rapsakehun e u nis.
Ai ngriti dorë kundër Sionit
e u madhështua me mujshi.
19Atëherë iu trandën zemrat e iu dridhën duart,
i zunë dhimbjet, si gruan kur lind,
20por thirrën Zotin e mëshirshëm
me duart shtrirë drejt tij.
I Shenjti i dëgjoi shpejt nga qielli
e i çliroi përmes Isaisë.
21Ai goditi fushimin e asirianëve,
engjëlli i tij i shfarosi.
22Ezekia veproi siç i pëlqen Zotit,
ndoqi udhët e Davidit, atit të vet,
siç e urdhëroi profeti Isai,
i madh e i besueshëm me vegimet e tij.
23Në kohën e tij u zmbraps dielli
e iu zgjat jeta mbretit.
24Me shpirt të madhërishëm pa fundin
e i ngushëlloi vajtorët e Sionit.
25Shfaqi gjërat që do të ndodhin gjer në amshim
e të fshehtat para se të ndodhnin.

Currently Selected:

Siraku 48: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in