YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 33

33
1Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.
2Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.
3Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.
4Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.
5Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.
6Qiejt u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.
7Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.
8Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.
9Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai urdhëroi dhe gjëja u shfaq.
10Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjëson synimet e popujve.
11Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.
12Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.
13Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
14Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.
15Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.
16Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
17Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.
18Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t'i mbajtur të gjallë në kohë urie.
20Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
21Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
22Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

Currently Selected:

Psalmet 33: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in