Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Korintasve 12:12-27

1 Korintasve 12:12-27 AL1

Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti. Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt. Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë. Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? Nëse i gjithë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja? Por Perëndia i vuri gjymtyrët në trup një nga një, ashtu siç deshi. Nëse të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Por tani ka shumë gjymtyrë dhe një trup. Syri nuk mund t'i thotë dorës: «Nuk ta kam nevojën» e as koka nuk mund t'u thotë këmbëve: «Nuk jua kam nevojën». Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të papërfillshmet, janë më të nevojshmet. Ne kujdesemi më shumë për gjymtyrët që i vlerësojmë më pak dhe përpiqemi t'i zbukurojmë sa më shumë gjymtyrët më të pahijshme, gjë që nuk e kanë të nevojshme gjymtyrët e hijshme. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke u dhënë më shumë nderim gjymtyrëve më të papërfillshme, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët të kujdesen për njëra-tjetrën. Nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të. Nëse njëra gjymtyrë nderohet, të gjitha gëzohen me të. Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij.