Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Makabenjve 4

4
Beteja e Emausit
1Gorgia mori pesë mijë burra e një mijë kalorës të zgjedhur dhe u largua nga fushimi që me natë 2për të sulmuar ushtrinë e judenjve e t'i godiste befas. Udhën ua tregonin disa njerëz nga qyteti. 3Juda e mori vesh, u ngrit me ushtrinë e vet dhe e mposhti ushtrinë e mbretit në Emaus, 4ndërkohë që ushtria ishte jashtë fushimit. 5Gorgia hyri në fushimin e judenjve natën, por nuk gjeti askënd. Kërkoi për ta nëpër kodra, sepse, mendoi: «Po ia mbathin prej nesh».
6Kur zbardhi, Juda doli në fushë me tre mijë burra pa parzmoret e shpatat e duhura. 7Panë se fushimi i kombeve ishte i fortë e i mbrojtur, rrethuar me kalorës të aftë për luftë. 8Juda u tha burrave që ishin me të: «Mos u trembni nga numri i tyre e mos e kini frikë hovin e tyre. 9Kujtoni si shpëtuan etërit tanë në detin e Kuq, kur i ndoqi faraoni me ushtri. 10Le t'i thërrasim, pra, qiellit, që të na përkrahë, të kujtojë besëlidhjen me etërit tanë e ta shkatërrojë sot këtë ushtri përpara nesh. 11Kështu gjithë kombet do ta dinë se ka kush e shpengon dhe shpëton Izraelin».
12Të huajt ngritën sytë e panë judenjtë që iu vërsulën. 13Atëherë dolën nga fushimi për të luftuar. Burrat e Judës u ranë trumbetave 14e u hodhën në sulm. Kombet u mundën e u shpërndanë nëpër fushë. 15Ata që mbetën prapa, u vranë me shpatë. Judenjtë i ndoqën deri në Gezer e në fushat e Idumesë, të Azotit e të Jamnisë. Mbetën të vrarë tre mijë burra. 16Juda dhe ushtria e tij nuk i ndoqën më. Kur u kthyen, 17i tha popullit: «Mos e dëshironi prenë, se kemi ende luftë përpara. 18Gorgia dhe ushtria e tij ndodhen në malet pranë nesh. Qëndroni kundër armikut e luftojeni, pastaj do ta merrni prenë me qetësi». 19Teksa Juda thoshte këto, një pjesë e ushtrisë armike doli nga mali 20dhe panë se ushtria e tyre ia kishte mbathur e se fushimi po digjej, siç dukej nga tymi. 21Kur i panë këto, u trembën shumë. Vunë re ushtrinë e Judës në fushë, gati për betejë, 22dhe ikën të gjithë në dheun e të huajve. 23Atëherë Juda u kthye në fushim dhe e plaçkiti. Morën shumë ar e argjend, coha të blerta e të kuqe, si dhe pasuri të madhe. 24Në kthim këndonin e bekonin qiellin: «Ai është i mirë, mëshira e tij mbetet përjetë». 25Atë ditë Izraeli korri një fitore të madhe.
Mposhtja e Lisisë
26Të huajt që shpëtuan i treguan Lisisë gjithçka kishte ngjarë. 27Kur i dëgjoi, Lisia u trondit e u dëshpërua, sepse Izraelit nuk i kishte ndodhur siç kishte dashur e siç kishte urdhëruar mbreti. 28Pas një viti mblodhi gjashtëdhjetë mijë burra të zgjedhur dhe pesë mijë kalorës, që t'i sulmonte izraelitët. 29Mbërriti në Idume e fushoi në Betcur. Juda u doli para me dhjetë mijë burra. 30Kur pa se ushtria e tyre ishte e fortë, u lut e tha: «I bekuar je ti, o shpëtimtar i Izraelit, që ia preve hovin të fortit me dorën e shërbëtorit tënd Davidit dhe ushtrinë e të huajve ia le në dorë Jonatanit, birit të Saulit dhe armëmbajtësit të tij. 31Lëre këtë ushtri në dorë të popullit tënd Izraelit e le të turpërohen forcat dhe kalorësit e saj. 32Shtiju frikën e hiqju besimin te forca e vet. Le të dridhen nga rrënimi. 33Rrëzoji me shpatën e atyre që të duan e le të të thurin lavde të gjithë ata që njohin emrin tënd».
34Ushtritë u ndeshën dhe nga ushtria e Lisisë ranë pesë mijë burra. 35Lisia pa se ushtria e vet u shpartallua dhe se ushtria e Judës mori guxim dhe ishte e gatshme të luftonte për jetë a vdekje. Atëherë u nis për në Antioki. Atje mblodhi shumë ushtarë, që ta sulmonte sërish Judenë.
Pastrimi i tempullit
36Juda e vëllezërit e tij thanë: «Ja, armiqtë tanë u shfarosën. Le të shkojmë ta pastrojmë shenjtëroren e ta kushtojmë». 37E gjithë bashkësia u mblodh e u ngjit në malin Sion. 38Shenjtëroren e gjetën të shkretuar e altarin të përdhosur. Dyert ishin djegur e tremet ishin mbuluar me bimë, si shkurret nëpër male. Dhomat e shenjta ishin rrënuar. 39Atëherë shqyen rrobat, vunë kujën, hodhën hi mbi kokë, 40ranë me fytyrë përdhe, u ranë borive e i klithën qiellit.
41Juda dha urdhër të luftonin kundër atyre që ishin në qytet, derisa ai të pastronte shenjtëroren. 42Mandej zgjodhi priftërinj të patëmetë e të përkushtuar ndaj ligjit. 43Ata pastruan shenjtëroren dhe gurët e përdhosur i hodhën në një vend të papastër. 44Pastaj u këshilluan se çdo të bënin me altarin e flive të shkrumbimit, që ishte përdhosur. 45Vendosën ta shkatërronin, që të mos u mbetej si njollë turpi për shkak të përdhosjes që i kishin bërë kombet. Atëherë e shkatërruan altarin 46dhe gurët i ruajtën në një vend të përshtatshëm në malin e tempullit, derisa të vinte ndonjë profet e t'u thoshte se ç'duhej të bënin me ta. 47Morën gurë të palatuar, sipas ligjit, dhe ndërtuan një altar të ri, të ngjashëm me të parin. 48Ndërtuan shenjtëroren dhe pjesën e brendshme të tempullit dhe shenjtëruan tremet. 49Enët e shenjta i bënë të reja. Brenda tempullit sollën kandilin, altarin e temjanit dhe tryezën. 50Kushtuan temjan në altar, ndezën llambat e shandanit dhe tempulli u ndriçua. 51Vendosën bukë në tryezë e varën perdet. Kështu përfunduan të gjitha punët.
52Mëngjesin e ditës së njëzet e pestë të muajit të nëntë, që është muaji Haselev, të vitit të njëqindedyzetetetë, u ngritën 53e kushtuan fli sipas ligjit në altarin e ri që kishin ndërtuar për flitë e shkrumbimit. 54E kushtuan me këngë, cetra, harpa e cimbale në të njëjtën kohë e në të njëjtën ditë që e kishin përdhosur kombet. 55I gjithë populli ra me fytyrë përdhe dhe adhuruan e bekuan qiellin që u kishte dhënë begati. 56Kushtimin e altarit e kremtuan për tetë ditë dhe kushtuan fli shkrumbimi me gëzim, fli shpëtimi e lavdërimi. 57Ballinën e tempullit e stolisën me kurora të arta e me shqyte. Rindërtuan portat e tempullit dhe dhomat e shenjta, të cilave u vunë dyert. 58Populli u gëzua shumë e kështu u hoq poshtërimi i kombeve. 59Atëherë Juda, vëllezërit e tij dhe gjithë bashkësia e Izraelit caktuan që ditët e kushtimit të altarit të përkujtoheshin me gëzim e ngazëllim në të njëjtën kohë, çdo vit, për tetë ditë, duke filluar nga dita e njëzetepestë e muajit Haselev. 60Në atë kohë ndërtuan rreth malit Sion mure të larta e kulla të forta, që të mos i sulmonin përsëri kombet e t'i mposhtin, siç kishin bërë më parë. 61Vendosi atje roja për ta mbrojtur dhe fortifikoi Betcurin, që populli të kishte një strehim përballë Idumesë.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Makabenjve 4: AL1

Thekso

Kopjo

Krahaso

Ndaje

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr