Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Timoteut 3:1-16

1 Timoteut 3:1-16 AL1

Kjo fjalë është e besueshme: nëse dikush kërkon të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë. Peshkopi duhet të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje, i kthjellët, i matur, i sjellshëm, mikpritës, mësues i zoti, jo pijanec, jo i dhunshëm, por i durueshëm, jo grindavec, jo lakmitar parash. Ai duhet ta drejtojë mirë shtëpinë e vet e t'i ketë fëmijët të bindur e shumë të sjellshëm. Nëse dikush nuk di sesi të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? Peshkopi të mos jetë i ri në besim, që të mos i rritet mendja e të mos bjerë në të njëjtin dënim me djallin. Ai duhet të gëzojë edhe respektin e atyre që janë jashtë kishës, që të mos përgojohet e të bjerë në kurthin e djallit. Po ashtu edhe dhjakët duhet të jenë të denjë, jo me dy fytyra, jo të dhënë pas verës së tepërt, as lakmitarë fitimesh të pandershme. Ata duhet ta mbajnë me ndërgjegje të pastër të fshehtën e besimit. Këta le të vihen më parë në provë, pastaj nëse janë të paqortueshëm, le të shërbejnë. Po ashtu gratë e tyre të jenë me dinjitet, të mos shpifin, të jenë të përmbajtura e besnike në gjithçka. Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën fitojnë një emër të mirë për veten dhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jezu. Këto gjëra po t'i shkruaj me shpresë se do të vij te ti së shpejti, por nëse vonohem, të dish sesi duhet të sillet njeriu në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës. Pa dyshim, e madhe është e fshehta e besimit: Perëndia u shfaq në trup njerëzor, u shpall i drejtë nga Shpirti, u pa nga engjëjt, u predikua mes kombeve, u besua në botë, u ngrit në lavdi.