1 Timoteut 4
4
Mohimi i besimit
1Shpirti e thotë qartë se në kohët e fundit disa do të largohen nga besimi, duke dëgjuar shpirtrat e rreme dhe mësimet e djajve. 2Ata do të mashtrohen nga njerëz hipokritë e gënjeshtarë, ndërgjegjja e të cilëve është damkosur. 3Ata ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hani nga ushqimet që Perëndia i krijoi. Ai i krijoi këto ushqime që, ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën, t'i hanë duke e falënderuar. 4Çdo gjë që Perëndia krijoi është e mirë dhe asgjë nuk është për t'u hedhur nëse merret duke e falënderuar atë, 5sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja.
Shërbëtori i mirë i Krishtit
6Nëse ua mëson këto gjëra vëllezërve, do të jesh një shërbëtor i mirë i Krishtit Jezu, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë që ke ndjekur. 7Shmangu, pra, nga përrallat e marra dhe profane të plakave dhe ushtroje veten në përkushtimin ndaj Perëndisë,
8sepse ushtrimi i trupit
është pak i dobishëm,
por përkushtimi ndaj Perëndisë
është i dobishëm për gjithçka.
Ky përkushtim mbart premtimin
e jetës së tashme dhe asaj të ardhshme.
9Kjo fjalë është e besueshme
dhe e denjë të pranohet plotësisht.
10Për këtë, pra, po mundohemi e po luftojmë, sepse kemi shpresë në Perëndinë e gjallë që është shpëtimtari i të gjithë njerëzve, sidomos i besimtarëve.
11Këto gjëra t'ua urdhërosh e t'ua mësosh të tjerëve. 12Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët me fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim e në dëlirësi. 13Kushtoju leximit të fjalës para bashkësisë, këshillimit dhe mësimdhënies derisa të vij unë. 14Mos e lër pas dore dhuntinë që ke, e cila t'u dha përmes profecisë dhe vënies së duarve nga pleqtë e kishës. 15Mbaji mend këto gjëra e kushtoju atyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. 16Kujdesu për veten dhe për mësimin, këmbëngul në këto gjëra, pasi duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
Aktualisht i përzgjedhur:
1 Timoteut 4: AL1
Thekso
Ndaje
Copy

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020