Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 15

15
Qortimet e Azarjahut
1Shpirti i Perëndisë erdhi mbi Azarjahun, birin e Odedit. 2Ai i doli përpara Asait e i tha: «Dëgjomë, o Asa e mbarë ti, o Judë dhe Benjamin! Zoti është me ty kur edhe ti je me të. Nëse e kërkoni, do ta gjeni, por, nëse e braktisni, edhe ai do t'ju braktisë. 3Për shumë kohë izraelitët mbetën pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj, që t'i mësonin, dhe pa ligjin. 4Por kur u kthyen te Zoti, Perëndia i Izraelit, për shkak të fatkeqësive dhe e kërkuan, ai iu gjend. 5Në atë kohë nuk kishte paqe për ata që udhëtonin, sepse kishte shumë trazira mes banorëve të vendit. 6Një komb ngrihej kundër një kombi tjetër e një qytet sulmonte qytetin tjetër, sepse Perëndia i godiste me fatkeqësi të ndryshme. 7Por tani, jini të fortë e mos t'ju këputen krahët, sepse vepra juaj do të shpërblehet».
8Kur Asai i dëgjoi këto fjalë e këtë profeci të profetit Oded, mori forcë dhe i hoqi idhujt e neveritshëm nga gjithë vendi i Judës dhe i Benjaminit, si edhe nga qytetet që kishte pushtuar në malësinë e Efraimit. Ai ndreqi edhe altarin e Zotit që ndodhej përpara portikut të Zotit. 9Mandej Asai mblodhi bashkë të gjithë Judën dhe Benjaminin, si edhe të gjithë ata nga fiset e Efraimit, Manaseut dhe Simeonit, që ishin bashkuar me të, sepse shumë banorë të Izraelit ishin bashkuar me Asain, kur kishin parë se Zoti, Perëndia i tij, ishte me të. 10Ata u mblodhën në Jerusalem në muajin e tretë të vitit të pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Asait. 11Atë ditë i kushtuan Zotit fli prej presë së luftës, që kishin marrë me vete, shtatëqind dema dhe shtatë mijë dele. 12Bënë edhe një besëlidhje për ta kërkuar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, me gjithë zemër e me gjithë shpirt. 13Kushdo që nuk do t'i shërbente Zotit, Perëndisë së Izraelit, i madh a i vogël, burrë a grua, do të vritej. 14Mandej u betuan para Zotit me zë të lartë, me brohoritje gazmore dhe me tinguj borish e brirësh. 15I gjithë populli i Judës u gëzua nga betimi, sepse ishin betuar me gjithë zemër, e kishin kërkuar Zotin me gjithë forcat e tyre dhe e kishin gjetur e Zoti u kishte dhënë paqe nga të gjitha anët.
16Asai ia hoqi të ëmës, Makës, vendin e nënës mbretëreshë, për shkak se ajo kishte bërë një shtyllë të Asherasë së pështirë. Ai e copëtoi idhullin, e thërrmoi dhe e dogji në luginën e Kidronit. 17Por faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan në Izrael, ndonëse zemra e Asait mbeti gjithmonë e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit. 18Asai solli në tempullin e Perëndisë sendet dhe enët e shenjta prej argjendi e prej ari që ishin kushtuar nga i ati e nga ai vetë. 19Deri në vitin e tridhjetë e pestë të mbretërimit të Asait nuk pati luftë.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Kronikave 15: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr