Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 12

12
Robëria e Judës
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, ti banon në mes të një fisi kryeneç që kanë sy për të parë, e nuk shohin, kanë veshë për të dëgjuar, e nuk dëgjojnë, sepse janë fis kryeneç. 3Ti, bir i njeriut, bëj një trastë mërgimtari për vete dhe mërgo ditën para syve të tyre. Mërgo nga një vend në një vend tjetër para syve të tyre. Ndoshta do të marrin vesh, ndonëse janë fis kryeneç. 4Nxirre trastën tënde, trastën e mërgimtarit, ditën para syve të tyre, por ti nisu në mbrëmje para syve të tyre, siç nisen mërgimtarët. 5Hap një vrimë në mur para syve të tyre e dil përmes saj. 6Para syve të tyre ngarkoi supet e dil në errësirë. Mbuloje fytyrën, për të mos e parë tokën, se të kam caktuar si shenjë për shtëpinë e Izraelit».
7Unë bëra siç m'u urdhërua. Trastën e nxora si trastë mërgimtari ditën dhe në mbrëmje hapa një vrimë në mur me duar. Pastaj dola duke e mbartur mbi supe para syve të tyre.
8Në mëngjes m'u drejtua fjala e Zotit e më tha: 9«Bir i njeriut, a nuk të ka pyetur shtëpia e Izraelit, ai fis kryeneç, se çfarë je duke bërë? 10Ti përgjigju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ky kumt është për prijësin e Jerusalemit dhe për mbarë shtëpinë e Izraelit që banon mes tij. 11Do të thuash: “Unë jam shenjë për ju. Siç bëra unë, ashtu do t'u bëhet atyre. Do të shkojnë në mërgim e në robëri”. 12Prijësi që është mes tyre do të ngarkojë supet në muzg e do të dalë. Do të shpojnë murin, për ta nxjerrë përmes tij. Do të mbulojë fytyrën, për të mos e parë tokën me sy. 13Do të shtrij mbi të rrjetën time e do të bjerë në kurthin tim. Do ta çoj në Babiloni, në dheun e kaldenjve, por nuk do ta shohë dhe atje do të vdesë. 14Do t'i shpërndaj në të katër erërat të gjithë ata që e rrethojnë, ndihmësit dhe mbarë truprojën. Shpatën do të zhvesh kundër tyre. 15Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, pasi t'i kem shpërndarë ndër kombe e përhapur nëpër vende. 16Por disa prej tyre do t'i lë të shpëtojnë nga shpata, nga zia e bukës e nga murtaja, që t'ua tregojnë të gjitha pështirësitë e tyre kombeve te të cilat do të shkojnë. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti».
17Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 18«Bir i njeriut, ha bukë duke u dridhur dhe pi ujë i tronditur e me ankth. 19Pastaj thuaji popullit të vendit se kështu thotë Zoti im, Zoti, për banorët e Jerusalemit, në tokën e Izraelit: do të hanë bukë me ankth e do të pinë ujë me tmerr, se toka e tyre do të shkretohet e do të mbesë pa begati, për shkak të dhunës së të gjithë banorëve të saj. 20Qytetet e banuara do të shkretohen dhe toka do të kthehet në shkretëtirë. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti».
21Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 22«Bir i njeriut, çfarë është kjo fjalë e urtë e juaja në mbarë dheun e Izraelit, që thotë: “Ditët zgjatojnë e vegimet firojnë”? 23Prandaj, thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: “Do t'i jap fund kësaj fjale të urtë e nuk do ta tregojnë më në Izrael si fjalë të urtë”. Por thuaju edhe se po afrohen ditët dhe çdo vegim do të ndodhë, 24se nuk do të ketë më asnjë vegim të kotë e asnjë parashikim miklues në shtëpinë e Izraelit, 25se unë jam Zoti. Do të them çfarë do të them e ajo gjë do të ndodhë. Nuk do ta shtyj më, por në kohën tuaj, o fis kryeneç, do ta them fjalën e do ta zbatoj, kumton Zoti im, Zoti».
26Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 27«Bir i njeriut, ja, ata të shtëpisë së Izraelit thonë: “Vegimi që ai sheh është për pas shumë ditësh dhe për pas shumë kohësh profetizon”. 28Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: “Asnjë prej fjalëve të mia nuk do të shtyhet më, por fjala që do të flas, do të zbatohet, kumton Zoti im, Zoti”».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 12: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr