Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 48

48
1Këta janë emrat e fiseve: nga skaji verior, përbri udhës së Hetlonit, deri në Lebo Hamat, deri në Hacar Enan, që është në kufirin verior të Damaskut, përbri Hamatit, nga ana lindore deri në perëndim, Dani ka një pjesë. 2Në kufi me Danin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Asheri ka një pjesë. 3Në kufi me Asherin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Neftaliu ka një pjesë. 4Në kufi me Neftaliun, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Manaseu ka një pjesë. 5Në kufi me Manaseun, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Efraimi ka një pjesë. 6Në kufi me Efraimin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Rubeni ka një pjesë. 7Në kufi me Rubenin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Juda ka një pjesë.
8Në kufi me Judën, nga ana lindore deri në anën perëndimore, do të jetë pjesa që do ta ndani më vete, njëzet e pesë mijë kute e gjerë dhe e gjatë sa njëra pjesë nga ana lindore deri në anën perëndimore. Në mes do të jetë shenjtërorja. 9Pjesa që do të veçoni për Zotin do të jetë njëzet e pesë mijë kute e gjatë dhe njëzet mijë e gjerë. 10Kjo do të jetë pjesa e shenjtë e veçuar për priftërinjtë: njëzet e pesë mijë kute në veri, dhjetë mijë kute e gjerë në perëndim e në lindje dhe njëzet e pesë mijë kute e gjatë në jug. Në mes do të jetë shenjtërorja e Zotit. 11Do t'u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, bijve të Cadokut, që e mbajtën porosinë time dhe nuk e lanë udhën, udhën e bijve të Izraelit, siç e lanë levitët. 12Do t'u takojë si pjesë nga pjesa e vendit më të shenjtë, ngjitur me truallin e levitëve. 13Levitët, përgjatë kufijve me priftërinjtë, do të kenë njëzet e pesë mijë kute gjatësi me dhjetë mijë gjerësi. Tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesë mijë kute dhe tërë gjerësia dhjetë mijë. 14Nuk do ta shesin, nuk do ta këmbejnë dhe nuk do ta tjetërsojnë pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin.
15Teprica, pesë mijë kute gjerësi me njëzet e pesë mijë kute gjatësi, do të mbetet për nevojat e rëndomta të qytetit, për banesa dhe për hapësira. Në mes do të jetë qyteti. 16Këto do të jenë përmasat: ana veriore, katër mijë e pesëqind kute, ana jugore, katër mijë e pesëqind, ana lindore, katër mijë e pesëqind dhe ana perëndimore, katër mijë e pesëqind. 17Qyteti duhet të ketë hapësirë të lirë: në veri, dyqind e pesëdhjetë kute; në jug, dyqind e pesëdhjetë; në lindje, dyqind e pesëdhjetë dhe në perëndim, dyqind e pesëdhjetë. 18Teprica, për së gjati, përgjatë pjesës së shenjtëruar, do të jetë dhjetë mijë kute në lindje e dhjetë mijë në perëndim, përgjatë pjesës së shenjtëruar. Prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punëtorët e qytetit. 19Do ta punojnë punëtorët e qytetit prej të gjitha fiseve të Izraelit. 20Tërë pjesa do të jetë njëzet e pesë mijë kute me njëzet e pesë mijë. Do ta kushtoni si pjesë të shenjtë në pronësi të qytetit.
21Teprica nga të dyja anët e pjesës së shenjtë dhe të pronës së qytetit do t'i takojë princit. Do të jetë njëzet e pesë mijë kute nga ana e shenjtë, në kufirin lindor dhe, në perëndim, njëzet e pesë mijë kute e gjatë në kufirin perëndimor, përgjatë pjesëve të tjera. 22Prona e levitëve dhe prona e qytetit do të jetë në mes të pronës së princit, ndërmjet kufirit të Judës dhe kufirit të Benjaminit.
23Fiset e tjera: nga ana lindore në anën perëndimore, Benjamini ka një pjesë. 24Në kufi me Benjaminin, nga ana lindore në anën perëndimore, Simeoni ka një pjesë. 25Në kufi me Simeonin, nga ana lindore në anën perëndimore, Isahari ka një pjesë. 26Në kufi me Isaharin, nga ana lindore në anën perëndimore, Zabuloni ka një pjesë. 27Në kufi me Zabulonin, nga ana lindore në anën perëndimore, Gadi ka një pjesë. 28Në kufi me Gadin, nga ana jugore, drejt jugut, kufiri shkon nga Tamari tek ujërat e Meribë Kadeshit dhe te vau i detit të madh. 29Kjo është toka që do t'u ndani me short si trashëgimi fiseve të Izraelit dhe këto janë pjesët e saj, kumton Zoti im, Zoti.
Portat e qytetit
30Këto do të jenë daljet e qytetit: në anën veriore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, 31tri porta: porta e Rubenit, porta e Judës dhe porta e Levit, pra portat e qytetit të emërtuara sipas fiseve të Izraelit. 32Në anën lindore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Jozefit, porta e Benjaminit dhe porta e Danit. 33Në anën jugore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Simeonit, porta e Isaharit dhe porta e Zabulonit. 34Në anën perëndimore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Gadit, porta e Asherit dhe porta e Neftaliut. 35Rrethorja do të jetë tetëmbëdhjetë mijë kute. Emri i qytetit nga ajo ditë do të jetë: Zoti është aty.

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 48: AL1

Thekso

Ndaje

Kopjo

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr