Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 58

58
Agjërimi i drejtë
1Bërtit fort! Mos u përmba!
Ngrije zërin porsi boria!
Shpallja popullit tim paudhësitë e veta,
shtëpisë së Jakobit mëkatet e veta.
2Ditë për ditë më kërkojnë,
udhët e mia duan t'i njohin,
si të ishin një popull, që zbaton drejtësinë,
që nuk i braktis vendimet e Perëndisë.
Kërkojnë prej meje gjykim të drejtë,
dëshirojnë t'i afrohen Perëndisë.
3«Përse të agjërojmë, kur ti nuk shikon?», thonë.
«Përse ta mundojmë veten, kur ti nuk do t'ia dish?».
Ja, ditën e agjërimit ju bëni si doni
e të gjithë punëtorët tuaj në punë i mbytni.
4Ju agjëroni mes grindjesh e zënkash,
njëri-tjetrin pabesisht me grusht e gjuani.
Nëse agjëroni si sot,
zëri juaj lart nuk do të dëgjohet.
5Përse, i tillë qenka agjërimi që unë pëlqej?
E tillë dita kur njeriu përul shpirtin e tij?
Të ulësh kokën porsi xunkthi e
të shtrihesh në grathore e në hi,
pse, këtë quan agjërim
e ditë që i pëlqen Zotit?
6Agjërimi që më pëlqen mua, a s'është vallë
të këputësh vargonjtë e paudhësisë,
të zgjidhësh litarët e zgjedhës,
të lësh të lirë të shtypurit,
të dërrmosh çdo zgjedhë?
7A s'është ta ndash bukën me të uriturin,
të presësh në shtëpi të varfrin e pastrehë,
ta shohësh dikë të zhveshur e ta veshësh,
dhe farefisin tënd të mos e lësh pas dore?
8Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi,
shërimi yt do të gëlojë me vrull,
përpara do të të prijë drejtësia jote,
praparojë do të kesh lavdinë e Zotit.
9Atëherë do të thërrasësh
e Zoti do të të dëgjojë,
do t'i kërkosh ndihmë
e do të të përgjigjet: «Ja, ku jam!».
Nëse heq dorë prej zgjedhës,
prej gishtit paditës e fjalëve të liga,
10nëse jepesh me shpirt ndaj të pangrënit,
nëse ia ngin barkun skamnorit,
atëherë drita jote do të shndritë në errësirë
e terri yt do të jetë porsi mesdita.
11 Zoti do të të prijë përherë,
do të ta kënaqë shpirtin në shkreti,
do t'i forcojë kockat e tua,
e ti do të jesh si kopshti i ujitur,
porsi burimi i ujërave
që nuk shterojnë kurrë.
12Njerëzit e tu do t'i ndërtojnë rrënojat e lashta,
do t'i ngresh sërish themelet e lëna brez pas brezi.
Kështu ti do të quhesh: «Rindërtuesi i rrënojave,
ndreqësi i udhëve për në vendbanim».
13Nëse e përmban këmbën,
që të mos e shkelësh të shtunën,
nëse nuk bën ç'të duash
në ditën time të shenjtë,
por e çmon si kënaqësi të shtunën,
si ditën e nderuar e të shenjtë të Zotit,
dhe e nderon duke mos u nisur për udhë,
duke mos kryer punë e duke mos bërë marrëveshje,
14atëherë do të gjesh kënaqësi në Zotin
e unë do të të bëj të kalërosh mbi lartësitë e tokës,
do të të ushqej prej trashëgimisë së Jakobit, atit tënd,
se kështu ka folur goja e Zotit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 58: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr