Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 52

52
Shtojcë
1Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma e tij quhej Hamitala dhe ishte bija e Jeremisë nga Libnahu. 2Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë Jehojakimi. 3Ishte Zoti që, nga zemërimi, i solli këto fatkeqësi mbi Jerusalem e mbi Judë, derisa i dëboi nga prania e tij. Edhe Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.
4Në ditën e dhjetë të muajit të dhjetë të vitit të nëntë të mbretërimit të Sedekisë, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij për të sulmuar Jerusalemin, ngriti fushimin përballë qytetit dhe ngriti një mur rrethues rreth e rrotull tij. 5Qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të Sedekisë. 6Ditën e nëntë të muajit të katërt uria u bë aq e rëndë në qytet saqë nuk kishte më ushqim për popullin. 7U hap një e çarë në qytet dhe të gjithë luftëtarët u arratisën e dolën nga qyteti natën, në drejtim të Arabahut, përmes portës që ndodhej mes dy mureve, pranë kopshtit të mbretit, ndërsa kaldenjtë e mbanin qytetin të rrethuar. 8Ushtarët e kaldenjve e ndoqën pas mbretin dhe e kapën Sedekinë në fushën e Jerikosë. Mbretin e kishte braktisur e gjithë ushtria e tij. 9Ata e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, në tokën e Hamatit, ku ai i shpalli vendimin. 10Mbreti i Babilonisë ia theri bijtë Sedekisë para syve. Ai theri edhe të gjithë prijësit e Judës në Riblah. 11Sedekisë i nxori sytë dhe e lidhi me vargonj. Mbreti i Babilonisë e mori në Babiloni dhe e mbajti në burg deri ditën kur vdiq.
12Në ditën e dhjetë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit, në Babiloni, Nebuzaradani, kryerojtari në shërbim të mbretit të Babilonisë, hyri në Jerusalem. 13Ai dogji tempullin e Zotit, pallatin mbretëror dhe u vuri zjarrin të gjitha shtëpive të Jerusalemit, veçanërisht shtëpive të fisnikëve. 14Mbarë ushtria e kaldenjve, bashkë me kryerojtarin, shkatërruan muret e Jerusalemit. 15Vegjëlinë dhe pjesën tjetër të popullit, ata që i ishin dorëzuar mbretit të Babilonisë, dhe zyrtarët e tjerë i shpërnguli në mërgim Nebuzaradani, kryerojtari. 16Nebuzaradani, kryerojtari, la disa nga më të varfrit e vendit për vreshtari e bujqësi.
17Kaldenjtë copëtuan shtyllat e bronzit, bazat dhe detin prej bronzi, që ishin në tempullin e Zotit dhe tërë bronzin e çuan në Babiloni. 18Morën edhe rrethjet, lopatëzat, thikat, kovat, kupat dhe të gjitha pajisjet prej bronzi që përdoreshin për shërbesat. 19Kryerojtari mori edhe govatat, mangallët, stërpikëset, kupëzat, shandanët, kusitë e gotat, të artat e të argjendtat. 20Pesha e bronzit të të gjitha pajisjeve të dy shtyllave të detit të vetëm, të dymbëdhjetë qeve prej bronzi, që ishin nën të, e të mbartësve që i kishte bërë mbreti Solomon për tempullin e Zotit, nuk mund të llogaritej. 21Njëra prej shtyllave ishte e lartë nëntë metra dhe duhej një fill gjashtë metra i gjatë për t'i matur gjerësinë. Trashësinë e kishte katër gisht, se brenda ishte golle. 22Sipër kishte një kokë prej bronzi dhe lartësia e kokës ishte dy metra e gjysmë. Përreth kokës kishte një rrjetë e disa shegë, gjithçka prej bronzi. Njësoj ishte edhe shtylla tjetër, bashkë me shegët. 23Shegët ishin nëntëdhjetë e gjashtë. Shegët përreth rrjetës ishin gjithsej njëqind.
24Kryerojtari mori robër edhe kryepriftin Serajah, priftin e rendit të dytë, Sofoninë, dhe tre rojtarët e pragut të tempullit. 25Nga qyteti mori robër zyrtarin që mbikëqyrte luftëtarët, shtatë këshilltarë të mbretit, që i gjeti në qytet, shkruesin e kreut të ushtrisë, që thërriste ushtarë djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë nga ata që u gjendën në mes të qytetit. 26Nebuzaradani, kryerojtari, i zuri robër dhe ia çoi mbretit të Babilonisë në Riblah. 27Atëherë mbreti i Babilonisë i goditi për vdekje në Riblah, në vendin e Hamatit. Kështu, populli i Judës u shpërngul nga dheu i vet.
28Kjo është njerëzia që Nabukodonosori shpërnguli: në vitin e shtatë, tre mijë e njëzet e tre judenj; 29në vitin e tetëmbëdhjetë të Nabukodonosorit, nga Jerusalemi u shpërngulën tetëqind e tridhjetë e dy vetë; 30në vitin e njëzetetretë të Nabukodonosorit, Nebuzaradani, kryerojtari, shpërnguli shtatëqind e dyzet e pesë judenj. Gjithsej katër mijë e pesëqind vetë.
Lirimi i Jehojakinit
31Tridhjetë e shtatë vjet pas shpërnguljes së Jehojakinit, mbretit të Judës, në robëri, Evil Merodaku u bë mbret i Babilonisë. Në ditën e njëzetepestë të muajit të dymbëdhjetë, në fillim të mbretërimit të tij, e liroi Jehojakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu. 32Ai fliste me dashamirësi me Jehojakinin dhe i caktoi një fron më të lartë se mbretërve të tjerë që ishin me të në Babiloni. 33Jehojakini ndërroi rrobat e burgut dhe hëngri në një tryezë me mbretin deri në fund të jetës. 34Mbreti i Babilonisë i dha çdo ditë sasinë e caktuar të gjërave që i nevojiteshin deri ditën që vdiq.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 52: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr