Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 14:15-31

Gjoni 14:15-31 AL1

«Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia. Unë do t'i kërkoj Atit t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju, Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju. Nuk do t'ju lë jetimë. Do të vij te ju. Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni, sepse jetoj unë. Atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia e i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua e do t'i shfaqem». Juda, jo Iskarioti, i tha: «Zot, përse do të na shfaqesh neve e jo botës?» Jezui i tha: «Kush më do mua do të zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë dhe unë e Ati do të vijmë e do të banojmë tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia. Fjala që dëgjoni nuk është e imja, por e Atit që më dërgoi. Këto gjëra jua thashë sa jam ende me ju. Ngushëlluesi, Shpirti i shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t'ju mësojë gjithçka e do t'ju kujtojë gjithçka që ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç jua jep bota. Le të mos ju tronditet zemra, as të mos ju frikësohet! Më dëgjuat kur ju thashë: “Po shkoj e do të vij përsëri te ju”. Po të më donit do të gëzoheshit që po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Jua thashë që tani përpara se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë. Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen sundimtari i kësaj bote. Ai nuk ka asnjë pushtet mbi mua. Por bota duhet ta dijë se unë e dua Atin e bëj atë që më urdhëroi Ati të bëj. Ngrihuni të ikim prej këtej!».