Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 19:16-27

Gjoni 19:16-27 AL1

Pastaj Pilati ua dorëzoi që të kryqëzohej. Kështu, ata e morën Jezuin. Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur «Kafka» që në hebraisht quhet «Golgota». Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin mes të tyre. Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve». Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, se vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht e greqisht. Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj: “Mbreti i judenjve”, por shkruaj: “Ky ka thënë: jam mbreti i judenjve”». Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova». Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte e paqepur, e gjitha e endur nga lart deri poshtë. Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t'i takojë». Kjo, që të përmbushej Shkrimi që thotë: i ndanë rrobat e mia mes tyre dhe hodhën short për petkun tim. Dhe ushtarët kështu bënë. Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij.