Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 2

2
Përgjuesit e Jerikosë
1Jozuehu, biri i Nunit, dërgoi prej Shitimit dy burra për të përgjuar vendin në fshehtësi e u tha: «Shkoni e përgjojeni mirë vendin dhe qytetin e Jerikosë». Ata shkuan e bujtën në shtëpinë e një lavireje që quhej Rahabë. 2Mbreti i Jerikosë u njoftua se natën kishin ardhur disa izraelitë për të përgjuar vendin. 3Atëherë ai i çoi fjalë Rahabës: «Nxirri jashtë burrat që erdhën te ti e hynë në shtëpinë tënde, se kanë ardhur për të përgjuar vendin». 4Si i mori e i fshehu dy burrat, Rahaba u përgjigj: «Po, ata erdhën tek unë, por nuk e dija nga ishin. 5Kur po mbyllej porta e qytetit e u bë terr, ata dolën. Nuk e di nga shkuan, por ndiqini shpejt, se mund t'i kapni». 6Ndërkohë, ajo i kishte ngjitur në tarracë e i kishte fshehur mes kallamishteve të lirit që i kishte vënë stivë atje. 7Të dërguarit e mbretit u nisën për t'i ndjekur rrugës për te vau i Jordanit. Sapo dolën, porta e qytetit u mbyll.
8Rahaba u ngjit në tarracë te përgjuesit, para se t'i zinte gjumi, 9e u tha: «Unë e di se Zoti jua ka dhënë juve këtë vend. Na ka zënë tmerri prej jush dhe të gjithë banorët e këtij vendi dridhen nga frika prej jush. 10Kemi dëgjuar se Zoti thau detin e Kuq para jush, kur po dilnit nga toka e Egjiptit. Kemi dëgjuar edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amoritëve përtej Jordanit, Sihonit e Ogut, të cilët i shkatërruat fare. 11Kur i dëgjuam këto, na lëshoi zemra e mbetëm pa frymë për shkakun tuaj, sepse Zoti, Perëndia juaj, është me të vërtetë Perëndi atje lart në qiell dhe këtu poshtë mbi tokë. 12Prandaj, m'u betoni për Zotin, se do të tregoni mirësi ndaj shtëpisë së atit tim, ashtu si tregova edhe unë mirësi ndaj jush. Më jepni, pra, një shenjë të besueshme, 13se do ta lini gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit e motrat e mia, bashkë me gjithçka që u përket, dhe se do të na shpëtoni nga vdekja». 14Ata i thanë: «Të betohemi me jetë, veç mos na kallëzo. Kur të na e japë Zoti vendin, do të tregojmë mirësi e besnikëri ndaj teje».
15Rahaba jetonte ngjitur me muret e qytetit dhe shtëpia e saj ishte e ndërtuar te muret. Ajo i lëshoi me litarë nga dritarja 16e u tha: «Merrni rrugën drejt malit, që të mos ndesheni me ata që po ju ndjekin. Fshihuni atje për tri ditë, derisa të kthehen ndjekësit, e pastaj vazhdoni udhën». 17Përgjuesit i thanë: «Ne nuk do ta mbajmë betimin që na detyrove të bëjmë, 18nëse, kur të hyjmë në këtë vend, nuk do të kesh lidhur në dritaren nga po na zbret këtë gjalmë të kuqe. Atin tënd, nënën tënde, vëllezërit e tu e gjithçka që i përket shtëpisë së atit tënd mblidhi këtu në shtëpinë tënde. 19Nëse dikush del jashtë derës së shtëpisë sate, gjaku i tij do të bjerë mbi vetë kryet e tij e ne do të jemi të pafajshëm. Por nëse dikush vë dorë mbi ndonjë brenda shtëpisë sate, atëherë gjaku i tij do të bjerë mbi kryet tanë. 20Nëse i tregon ndokujt për punën tonë, nuk do ta mbajmë betimin që na detyrove të bëjmë». 21Ajo u tha: «U bëftë sipas fjalës suaj!». Pastaj i la të shkojnë dhe e lidhi gjalmën e kuqe në dritare.
22Përgjuesit shkuan në mal e qëndruan atje për tri ditë, derisa u kthyen ata që i ndiqnin. Ndjekësit i kërkuan gjatë gjithë udhës, por nuk i gjetën. 23Pastaj dy burrat zbritën nga mali, kaluan Jordanin e u kthyen te Jozuehu, biri i Nunit, të cilit i treguan gjithçka u kishte ndodhur. 24Ata i thanë Jozuehut: «Zoti na e dorëzoi mbarë vendin. Të gjithë banorët e atij vendi i ka pushtuar frika nga ne».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jozuehu 2: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr