Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 15:11-32

Luka 15:11-32 AL1

Pastaj Jezui tha: «Një njeri kishte dy djem. Më i vogli i tha të atit: “Atë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon”. Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve. Pas pak ditësh më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje. Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë. Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat. Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie. Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t'i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu”. Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë. Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë, se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin. Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle. Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte. Ai iu përgjigj: “Vëllai yt është këtu dhe yt atë theri viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë”. Atëherë ai u zemërua e nuk pranoi të hynte. I ati doli përjashta për t'iu lutur, por ai iu përgjigj: “Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi. Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja. Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”».