Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 2:1-40

Luka 2:1-40 AL1

Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për shënimin e tërë popullsisë. Shënimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë. Të gjithë shkonin për t'u shënuar, secili në qytetin e vet. Edhe Jozefi, që ishte nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit, për t'u shënuar së bashku me Marinë, të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë. Ndërsa ndodheshin në Betlehem, i erdhën ditët për të lindur dhe lindi birin e saj të parëlindur. E mbështolli në pelena dhe e vuri në grazhd, se në bujtinë nuk kishte vend për ta. Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre. Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot. Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena e të shtrirë në grazhd». Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu: «Lavdi i qoftë Perëndisë në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i ka për zemër». Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti». Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë me Jozefin e fëmijën të shtrirë në grazhd. Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën. Dhe të gjithë ata që dëgjuan mbetën të habitur nga tregimi i barinjve. Maria i ruante dhe i shqyrtonte të gjitha këto në zemrën e saj. Atëherë barinjtë u kthyen duke përlëvduar Perëndinë e duke i thurur lavde për gjithçka panë e dëgjuan, ashtu siç u qe thënë. Pas tetë ditësh, kur e rrethprenë, i vunë emrin Jezu, emrin që i kishte vënë engjëlli para se të ngjizej. Kur erdhi koha e pastrimit të tyre në tempull, sipas ligjit të Moisiut, Jozefi dhe Maria e çuan Jezuin në Jerusalem për t'ia paraqitur Zotit, siç është shkruar në ligjin e Zotit: çdo djalë i parë do t'i kushtohet Zotit dhe për të kushtuar flinë siç thuhet në ligjin e Zotit: një çift turtujsh ose dy pëllumba të vegjël. Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të. Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit. I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit, Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu: «Tani, o Zot, lëre shërbëtorin tënd të shkojë në paqe, sipas fjalës sate, se me sytë e mi e pashë shpëtimin tënd që ti e përgatite në sytë e të gjithë popujve, dritë për të ndriçuar kombet e lavdi për popullin tënd, Izraelin». I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të. Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin». Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur. Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit. Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret. Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të.