Marku 14
14
Vendimi për ta kapur
(Mt 26.1-5; Lk 22.1-2; Gjn 11.45-53)
1Pas dy ditësh ishte Pashka dhe festa e Bukëve të ndorme. Kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin sesi ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. 2Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».
Lyerja me mirrë
(Mt 26.6-13; Gjn 2.1-8)
3Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, erdhi një grua që mbante një enë alabastri me mirrë nardi të kulluar që kushtonte shumë shtrenjtë. Ajo e theu enën dhe e derdhi mirrën mbi kokën e Jezuit. 4Aty gjendeshin disa veta që i thanë njëri-tjetrit të zemëruar: «Pse u bë gjithë ky shpenzim i kotë i mirrës? 5Kjo mirrë mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë e këto t'u ishin dhënë të varfërve». Dhe e qortuan gruan. 6Por Jezui u tha: «Lëreni të qetë! Përse e mundoni? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. 7Të varfrit i keni gjithmonë me ju e mund t'u bëni mirë kur të doni, por mua nuk më keni gjithmonë. 8Ajo bëri çfarë mundi. Që tani ma leu trupin me mirrë për varrim. 9Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».
Juda përgatit tradhtinë
(Mt 26.14-16; Lk 22.3-6)
10Atëherë Judë Iskarioti, njëri prej të dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë, që t'ua dorëzonte Jezuin. 11Kur e dëgjuan këtë gjë, ata u gëzuan e i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu, ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.
Përgatitja e Pashkës
(Mt 26.17-25; Lk 22.7-14, 21-23; Gjn 13.21-30)
12Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?». 13Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij e u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni 14e atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”. 15Dhe në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën». 16Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën.
17Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët. 18Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë». 19Ata filluan të trishtohen e i thoshin një nga një: «Mos jam unë#14.19 dorëshk. të tjera edhe: një tjetër tha: «Mos jam unë?»?». 20Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua. 21Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur».
Darka e Zotit
(Mt 26.26-30; Lk 22.15-20; 1Ko 11.23-25)
22Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre e tha: «Merrni, ky është trupi im». 23Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj. 24Dhe u tha: «Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes#14.24 dorëshk. të tjera edhe: së re, që derdhet për shumë njerëz. 25Në të vërtetë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë».
26Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35; Lk 22.31-34; Gjn 13.36-38)
27Jezui u tha: «Ju të gjithë do të bini, sepse është shkruar:
do ta godas bariun
e delet do të shpërndahen.
28Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».
29Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë bien, unë nuk do të bie». 30Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë». 31Por ai nguli këmbë: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë.
Lutja në Gjetsemani
(Mt 26.36-46; Lk 22.39-46)
32Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem». 33Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë e ankth. 34Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar». 35Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe e lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh. 36Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty. Largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti».
37Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur e i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë? 38Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». 39U largua sërish e u lut, duke thënë të njëjtat fjalë. 40Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t'i përgjigjeshin. 41Pastaj erdhi për të tretën herë e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Mjafton. Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 42Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».
Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56; Lk 22.47-53; Gjn 18.3-12)
43Dhe në atë çast, ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë. 44Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Kapeni e ruajeni mirë!». 45Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Mësues!» dhe e puthi. 46Atëherë ata e kapën dhe e ndalën. 47Njëri nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 48Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? 49Unë isha çdo ditë mes jush në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet».
50Atëherë të gjithë e braktisën e ikën.
Djaloshi që iku
51Një i ri, i mbështjellë vetëm me një copë prej liri, po e ndiqte. Rojat e kapën, 52por ai lëshoi copën prej liri e iku lakuriq.
Para sinedrit
(Mt 26.57-68; Lk 22.54-55, 63-71; Gjn 18.13-14, 19-24)
53Atëherë e dërguan Jezuin te kryeprifti dhe mblodhën aty të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë e shkruesit. 54Pjetri e ndoqi nga larg, deri brenda oborrit të pallatit të kryepriftit, e u ul mes shërbëtorëve, duke u ngrohur pranë zjarrit.
55Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin. 56Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin. 57Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij e thanë: 58«Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut e për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”». 59Por as dëshmia e tyre nuk përkonte.
60Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». 61Por Jezui heshti e nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?». 62Jezui iu përgjigj: «Unë jam.
Do të shihni Birin e njeriut
ulur në të djathtën
e Perëndisë së pushtetshëm,
duke ardhur mbi retë e qiellit».
63Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç'na duhen më dëshmitarët? 64Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje.
65Disa filluan ta pështynin, t'i mbulonin fytyrën e ta godisnin duke i thënë: «Gjeje#14.65 ose: Profetizo! kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka.
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.69-75; Lk 22.56-62; Gjn 18.15-18, 25-27)
66Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit 67dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit». 68Por ai e mohoi e tha: «Nuk po e marr vesh e as nuk po e kuptoj se ç'thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli. 69Shërbëtorja e pa e filloi t'u thoshte përsëri atyre që ishin aty: «Ky është një prej tyre». 70Por ai e mohoi përsëri. Pas pak, ata që ishin aty i thanë Pjetrit sërish: «Me siguri që je një nga ata, se je galileas#14.70 dorëshk. të tjera edhe: dhe dukesh nga e folmja». 71Por ai filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin po flisni». 72Atë çast këndoi gjeli për të dytën herë. Atëherë Pjetrit iu kujtua ç'i kishte thënë Jezui: «Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Dhe filloi të qante.
Aktualisht i përzgjedhur:
Marku 14: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020