Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 14:32-72

Marku 14:32-72 AL1

Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem». Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë e ankth. Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar». Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe e lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh. Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty. Largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti». Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur e i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». U largua sërish e u lut, duke thënë të njëjtat fjalë. Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t'i përgjigjeshin. Pastaj erdhi për të tretën herë e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Mjafton. Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton». Dhe në atë çast, ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Kapeni e ruajeni mirë!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Mësues!» dhe e puthi. Atëherë ata e kapën dhe e ndalën. Njëri nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë mes jush në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet». Atëherë të gjithë e braktisën e ikën. Një i ri, i mbështjellë vetëm me një copë prej liri, po e ndiqte. Rojat e kapën, por ai lëshoi copën prej liri e iku lakuriq. Atëherë e dërguan Jezuin te kryeprifti dhe mblodhën aty të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë e shkruesit. Pjetri e ndoqi nga larg, deri brenda oborrit të pallatit të kryepriftit, e u ul mes shërbëtorëve, duke u ngrohur pranë zjarrit. Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin. Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin. Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij e thanë: «Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut e për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”». Por as dëshmia e tyre nuk përkonte. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui heshti e nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?». Jezui iu përgjigj: «Unë jam. Do të shihni Birin e njeriut ulur në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit ». Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje. Disa filluan ta pështynin, t'i mbulonin fytyrën e ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka. Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit». Por ai e mohoi e tha: «Nuk po e marr vesh e as nuk po e kuptoj se ç'thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli. Shërbëtorja e pa e filloi t'u thoshte përsëri atyre që ishin aty: «Ky është një prej tyre». Por ai e mohoi përsëri. Pas pak, ata që ishin aty i thanë Pjetrit sërish: «Me siguri që je një nga ata, se je galileas». Por ai filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin po flisni». Atë çast këndoi gjeli për të dytën herë. Atëherë Pjetrit iu kujtua ç'i kishte thënë Jezui: «Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Dhe filloi të qante.