Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Naumi 3

3
Mjerë Niniva
1«Mjerë qyteti gjakatar,
i tëri mashtrim,
përplot me plaçkitje,
nuk i ndahen bastisjet.
2Frushkulli fërshëllen,
rrotat rrapëllojnë.
Kali vrapon,
karroca tundet.
3Kalorësi vërsulet,
shpata vezullon,
heshta shkreptin.
Mori të vrarësh,
pirg kufomash,
të vdekur pa fund,
aq sa pengohen,
kur ecin mes tyre,
4për shkak të kurvërimit pa fund të lavires,
të bukuroshes magjepsëse,
të mjeshtres së shortarisë,
që me kurvëri e shortari,
skllavëron kombe e fise.
5Ja, jam kundra teje, kumton Zoti i ushtrive.
Deri në fytyrë fundin do të ta ngre,
që të të shohin kombet lakuriq
e mbretëritë me turp.
6Do të të mbuloj me neveri,
do të të përçmoj
e shembull do të të bëj.
7Kushdo që do të të shohë,
do të zmbrapset e do të thotë:
“Niniva u shkretua
e askujt nuk i vjen keq.
Ngushëllues s'kam ku t'i gjej”.
8A mos je më e mirë se No Amoni,
që shtrihej buzë Nilit e ujërat e rrethonin,
ku detin kishte si ledh e ujërat për mur?
9Prej Kushit e prej Egjiptit rridhte forca e tij.
Ajo s'kishte kufi.
Puti e Libani ishin përkrahësit e tij.
10Por edhe ai u shpërngul,
vajti në robëri.
Copë e çikë iu bënë fëmijët
në çdo qoshe rruge.
Short u hodh për fisnikët e tij,
tërë paria në pranga ra.
11Edhe ti do të dehesh, do të tkurresh.
Edhe ti prej armiqve do të kërkosh strehim.
12Si fiqtë e arrirë
janë tërë fortesat e tua.
Në i shkundsh,
në gojë të bien.
13Ja, ushtria jote,
ushtri grash.
Portat e vendi iu hapën krejt armiqve,
shulat e tyre zjarri i përpiu.
14Nxirr ujë për rrethim,
forcoji fortesat,
shko në baltë,
ngjish argjilë,
bëj tulla.
15Edhe aty do të të përpijë zjarri,
shpata do të të shfarosë.
Do të të përpijë porsi vemja.
Shumohu porsi vemja,
shumohu porsi karkaleci.
16I shtove tregtarët porsi yjet e qiellit,
porsi vemja që shndërrohet e fluturon.
17Oborrtarët i ke porsi karkaleca,
zyrtarët si mori karkalecash.
Prehen mbi mure në ditë të ftohtë,
ikin kur lind dielli
pa ditur askush se ku.
18O mbreti i Asirisë,
po të drobisin barinjtë,
fisnikët po të koten,
populli nëpër male po të shpërndahet
e s'ka kush t'i mbledhë.
19Shërim s'ka për plagën tënde,
je lënduar rëndë.
Kush për ty dëgjon, duartroket,
se mizorisë tënde askush nuk i shpëtoi».

Aktualisht i përzgjedhur:

Naumi 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr