Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 1:1-11

Nehemia 1:1-11 AL1

Fjalët e Nehemisë, birit të Hakaliahut. Në muajin Kislev, kur isha njëzet vjeç e gjendesha në fortesën e Shushanit, erdhi tek unë Hananiu, njëri prej vëllezërve të mi, me disa njerëz nga Juda. Unë i pyeta për judenjtë, që kishin ikur e kishin shpëtuar nga skllavëria, si edhe për Jerusalemin. Ata më thanë: «Të mbijetuarit, që i shpëtuan skllavërisë, gjenden atje, në krahinë, dhe janë në ngushticë të madhe e në fatkeqësi, sepse muret e Jerusalemit janë shembur e portave u ka rënë zjarri». Kur i dëgjova këto fjalë, u ula, derdha lot e vajtova për disa ditë. Agjërova, iu luta Perëndisë së qiellit e thashë: «Po të lutem, o ZOT, Perëndi i qiellit, Perëndi i madh e i tmerrshëm, që e mban besëlidhjen e mirësinë për ata që të duan e i zbatojnë urdhërimet e tua, vëri vesh lutjes së shërbëtorit tënd e hapi sytë, se unë po të lutem ditë e natë për bijtë e Izraelit, shërbëtorët e tu, e po i rrëfej mëkatet e bijve të Izraelit, se mëkatuam kundër teje. Edhe unë e shtëpia e tim eti mëkatuam. U sollëm keq me ty e nuk i mbajtëm as urdhërimet, as rregullat, as vendimet që i urdhërove Moisiut, shërbëtorit tënd. Kujto, pra, fjalët me të cilat e urdhërove shërbëtorin tënd, Moisiun: “Nëse nuk do të jeni besnikë, do t'ju shpërndaj mes popujve, por nëse ktheheni tek unë dhe i mbani e i zbatoni urdhërimet e mia, edhe sikur të dëbuarit të gjenden në skajet e botës, do t'i mbledh që andej e do t'i çoj në vendin ku kam vendosur të banojë emri im”. Ata janë shërbëtorët e tu e populli yt që ti i shpëtove me pushtetin tënd të madh e me fuqinë e krahut tënd. Po të përgjërohem, o Zot, vëri vesh lutjes së shërbëtorit tënd e lutjes së shërbëtorëve të tu që me dëshirë i druhen emrit tënd: prija mbarë sot shërbëtorit tënd e jepi hir para këtij njeriu». Në atë kohë unë isha kupëmbajtësi i mbretit.