Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 106

106
1Aleluja!
Përlëvdoni Zotin se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë.
2Kush mund t'i kumtojë bëmat e Zotit,
t'u japë jehonë tërë lavdërimeve të tij?
3Lum ata që zbatojnë të drejtën,
që veprojnë me drejtësi në çdo kohë.
4Kujtomë, o Zot, sipas mirëdashjes
që tregon ndaj popullit tënd,
eja tek unë me shpëtimin tënd,
5që të shoh të mirat e të zgjedhurve të tu,
që të gëzoj edhe unë bashkë me kombin tënd,
e të krenohem me trashëgiminë tënde.
6Kemi mëkatuar ashtu si etërit tanë,
kemi kryer paudhësi, të keqen kemi bërë.
7Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan,
mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan,
krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq.
8Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij,
për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter,
përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë.
10I shpëtoi nga dora e atij që i urrente,
i shpengoi prej dorës së armikut.
11Ujërat i mbuluan kundërshtarët,
asnjë prej tyre nuk shpëtoi.
12Atëherë u besuan fjalëve të tij
dhe lavdërime atij i kënduan.
13Por shpejt i harruan veprat e tij
e më nuk pritën për shestimin e tij.
14U ndezën nga lakmia në shkretëtirë,
Perëndinë e tunduan në vend të shkretë.
15Kërkesën atyre ua plotësoi,
por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse.
16Smirë e patën Moisiun në fushim
dhe Aronin, të shenjtin e Zotit.
17U hap toka dhe Datanin e përpiu,
turmën e Abiramit e groposi.
18Zjarri e përpiu grumbullin e tyre,
flaka i dogji të paudhët.
19Një viç punuan në Horeb,
një idhull të metaltë adhuruan.
20Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë
shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar.
21Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan,
atë që në Egjipt vepra madhështore bëri,
22mrekulli në tokën e Kamit,
gjëra të tmerrshme në detin e Kuq.
23Mendoi, atëherë, t'i shfaroste,
por Moisiu, i zgjedhuri i tij,
mes çarjes, para tij qëndroi,
që zemërimin e tij ta përmbante
e të mos i shkatërronte.
24Tokën e dëshiruar e përbuzën,
fjalës së tij nuk i besuan.
25Nëpër tendat e tyre murmuritën,
zërin e Zotit nuk e dëgjonin.
26Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua,
që mu në shkretëtirë t'i plandoste,
27që pasardhësit e tyre ndër kombe t'i degdiste,
nëpër vende të huaja t'i hapërdante.
28I ishin kushtuar Baalpeorit,
kishin ngrënë flitë e të vdekurve.
29Me veprimet e tyre ia ndezën zemërimin,
prandaj mes tyre shpërtheu gjëma.
30U ngrit Finehasi dhe bëri drejtësi,
e atëherë gjëma u ndal.
31Kjo iu numërua për drejtësi,
brez pas brezi, në amshim.
32E zemëruan sërish tek ujërat e Meribës,
për shkak të tyre e pësoi edhe Moisiu.
33Ia hidhëruan shpirtin,
ndaj foli pa mend me buzët e veta.
34Ata nuk i shfarosën popujt,
sikurse u kishte urdhëruar Zoti.
35Por u përzien mes kombeve,
veprat e tyre mësuan.
36Idhujve të tyre u shërbyen,
që kurth për ta u bënë.
37Djemtë e vajzat e veta,
djajve ua flijuan.
38Derdhën gjak të pafajshëm,
gjakun e bijve dhe të bijave.
Ua flijuan idhujve të Kanaanit,
me gjakun e tyre toka u njollos.
39U përlyen me veprat që bënë,
kryen tradhti me veprimet e tyre.
40Flakë u ndez zemërimi i Zotit
kundër popullit të vet,
ndot i erdhi nga trashëgimia e tij.
41Në duart e kombeve i lëshoi,
i sunduan ata që i urrenin.
42Prej armiqve u shtypën,
nën zgjedhën e tyre u poshtëruan.
43Herë pas here i çlironte,
por me synimet e tyre krye ngrinin
e thellë në paudhësi fundoseshin.
44Ai e pa sërish mundimin e tyre
dhe përgjërimin e tyre e dëgjoi.
45I ra ndër mend besëlidhja me ta,
prej mirësisë së tij të madhe u zbut.
46I bëri të gjenin mëshirë
prej gjithë atyre që i kishin robëruar.
47Shpëtona, o Zot, Perëndia ynë,
prej kombeve ku gjendemi bashkona,
që të lavdërojmë emrin tënd të shenjtë,
që të krenohemi me lavdinë tënde.
48Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,
nga mot e përgjithmonë!
Mbarë populli le të thotë: «Amen!».
Aleluja!

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 106: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr