Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 4:1-11

Zbulesa 4:1-11 AL1

Pastaj pashë një derë të hapur në qiell dhe zëri, që kisha dëgjuar më parë të më fliste si trumbetë, më tha: «Ngjitu këtu lart! Do të të tregoj ato që duhet të ndodhin më pas». U rrëmbeva menjëherë nga Shpirti. Atje në qiell ndodhej një fron dhe mbi fron rrinte ulur dikush që i ngjante nga pamja një guri diaspri e sardi. Fronin e rrethonte një ylber që ngjante nga pamja me gur smeraldi. Rreth e qark fronit kishte njëzet e katër frone. Mbi këto frone rrinin ulur njëzet e katër pleq veshur me të bardha e me kurora të arta në kokë. Nga froni dilnin vetëtima, zëra e bubullima. Para tij digjeshin shtatë shandanë të ndezur që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë. Para fronit ishte diçka si det i qelqtë që ngjante si kristal. Në qendër, rreth e rrotull fronit ndodheshin katër gjallesa plot me sy para e prapa. Gjallesa e parë ngjante me një luan, e dyta me një viç, e treta e kishte fytyrën si fytyrë njeriu, ndërsa e katërta ngjante me një shqiponjë në fluturim. Secila prej të katër gjallesave kishte nga gjashtë krahë. Përreth e nga brenda ishin plot me sy e nuk pushonin as ditën e as natën së thëni: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti, Perëndia i gjithëpushtetshëm, ai që ishte, që është e që po vjen». Ndërkohë që gjallesat lëvdonin, nderonin e falënderonin atë që rrinte ulur mbi fron, atë që jeton në shekuj të shekujve, të njëzet e katër pleqtë binin përmbys para atij që rrinte ulur mbi fron dhe adhuronin atë që jeton në shekuj të shekujve, hidhnin kurorat e tyre para fronit dhe thoshin: «I denjë je ti, Zoti e Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin e fuqinë, sepse ti ke krijuar gjithçka dhe me vullnetin tënd u bë e u krijua gjithçka».