Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Siraku 47

47
1Pas tij doli Natani,
profet në kohën e Davidit.
2Siç ndahet dhjami te flija e paqes,
u nda Davidi prej bijve të Izraelit.
3Luajti me luanët si me keca,
me arinjtë si me qengja grigje.
4A nuk e vrau viganin që në rini
e i hoqi popullit fatkeqësinë,
kur vërviti gurin në hobe
dhe mposhti mujshinë e Goliatit?
5I thirri Zotit të tejlartë,
që i dha fuqi të djathtës së tij,
për të goditur njeriun e fuqishëm në betejë,
për t'ia shtuar popullit fuqinë.
6E lavdëruan për dhjetëra mijërat,
e lëvduan për bekimet e Zotit,
kur iu dha kurora e lavdisë.
7I zhbiu armiqtë përqark,
i zhduku filistinët kundërshtarë,
ua mposhti fuqinë gjer më sot.
8Në çdo vepër i thuri falënderime
të shenjtit të Tejlartë me fjalë lavdie,
e lavdëroi me gjithë zemër,
e deshi krijuesin e vet.
9Vuri këngëtarë para altarit,
që të këndonin ëmbël me zërin e tyre.
10U dha hijeshi festave,
i zbukuroi të kremtet gjer në përsosje,
duke i kënduar emrit të tij të shenjtë,
që në ag kumbonte shenjtërorja.
11Zoti ia hoqi mëkatet,
e bëri të fortë gjer në amshim,
i dha besëlidhjen e mbretërisë
e një fron lavdie në Izrael.
12Pas tij doli një bir i ditur,
që jetoi në begati falë tij,
13Solomoni që mbretëroi në kohë paqeje.
Perëndia e rrethoi me qetësi,
që t'i ndërtonte një shtëpi emrit të tij,
të bënte një shenjtërore për amshim.
14Sa i urtë ishe në rini!
Gufoje si lumi me mençuri.
15Dheun mbuloi shpirti yt,
e mbushe me shëmbëlltyra e thënie.
16Të mbërriti emri te ishujt e largët,
të deshën prej paqes sate.
17Këngët, thëniet, shëmbëlltyrat
e shpjegimet i mrekullonin vendet.
18Në emrin e Zotit Perëndi,
që quhet Zoti i Izraelit,
mblodhe arin si kallaj,
si plumbin e grumbullove argjendin.
19Por i puqe ijët me gratë
e iu nënshtrove trupit tënd.
20E njollose lavdinë,
e përdhose farën,
solle zemërimin mbi bijtë e tu,
vuajtën nga paurtia jote.
21Sundimi yt u përça
e nga Efraimi doli mbretëria kundërshtare,
22por Zoti nuk ta heq mëshirën
e nuk rrënon çfarë bëri me fjalën e vet,
nuk ia zhbin pasardhësit të zgjedhurit të tij,
nuk ia shuan farën të dashurit të tij.
Ia dha Jakobit një tepricë
e Davidit një rrënjë të vetën.
23Solomoni u preh me etërit
dhe la një prej bijve të vet,
më të paurtin e popullit e më të pamendin,
Rehoboamin, që e nguci popullin me vendimet e veta.
24Edhe Jeroboami, biri i Nebatit, e çoi në mëkat Izraelin,
e shtiu Efraimin në udhën e mëkatit,
u shumuan fort mëkatet e tyre
dhe u dëbuan nga toka e tyre.
25Provuan çdo ligësi,
derisa u ra hakmarrja.

Aktualisht i përzgjedhur:

Siraku 47: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr