Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Urtia 13

13
Adhurimi i krijesave
1Njerëz të kotë prej natyre
të gjithë ata që nuk e njohin Perëndinë,
panë të mirat,
por nuk panë dot atë që është,
vëzhguan veprat,
por nuk shquan zejtarin.
2Zjarrin, flladin, erën, qarkun e yjeve,
ujin e vrrullshëm dhe trupat qiellorë,
i bënë perëndi, sundues të botës.
3I bënë perëndi, se ua panë bukurinë.
Ta dinë sa më i hijshëm se ato është zotëruesi,
se ai që lindi hijeshinë i krijoi.
4Edhe po të shtangen para forcës e veprimit të tyre,
le ta kuptojnë sa më i fuqishëm është ai që i krijoi.
5Nga madhështia dhe bukuria e krijesave
kuptohet me krahasim krijuesi i tyre.
6Por faji i këtyre njerëzve është i vogël,
se ndoshta gabohen
tek kërkojnë Perëndinë
e dëshirojnë ta gjejnë.
7Jetojnë mes veprave të tij dhe ende e kërkojnë,
besojnë në çfarë shohin, sepse çfarë shihet është e bukur.
8Megjithatë, ata nuk janë të shfajësueshëm.
9Kur arritën të kuptonin kaq shumë,
sa mundën të shqyrtojnë gjithësinë,
si nuk e gjetën më herët zotëruesin e të gjitha këtyre?
10Të mjerë janë e mbi sende të vdekura ngrihen shpresat e tyre,
sepse quajtën perëndi punët e duarve njerëzore,
arin e argjendin punuar mjeshtërisht
dhe përngjasimet e kafshëve,
apo gurin e padobishëm, punuar prej duarsh të lashta.
11Një zdrukthëtar preu një pemë të përshtatshme,
me zotësi ia zhveshi lëkurën,
e punoi me kujdes,
dhe krijoi një enë të dobishme për jetën e përditshme.
12Me mbetjet bëri zjarr,
gatoi ushqimin e u ngi.
13Mes mbetjeve ishte dhe një copë e padobishme,
një dru i shtrembër gjithë rremba,
që e mori dhe e punoi në kohën e lirë.
Me përvojën që kishte, e punoi me kujdes,
i dha pamje njeriu
14apo kafshe të ulët.
Pastaj e leu me bojë të kuqe
dhe çdo njollë e leu me bojë.
15Më pas i bëri një vend të përshtatshëm në mur,
e vuri atje, mbërthyer me gozhdë.
16U kujdes për të që të mos binte,
se e dinte se s'kujdesej dot për vete.
Është vetëm përngjasim e ka nevojë për ndihmë.
17I lutet për pasuri, për të shoqen e për fëmijët.
S'ka turp t'i drejtohet një sendi pa shpirt,
një gjëje të dobët i kërkon shëndet,
18të vdekurit i kërkon jetë,
të pafuqishmit i kërkon ndihmë,
i lutet ta ruajë në udhëtim
atij që s'hedh dot asnjë hap.
19Për begati, fryte në punë e duar të mbara
i lutet atij që s'i lëviz dot duart.

Aktualisht i përzgjedhur:

Urtia 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr