Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Urtia 3

3
Fati i të drejtëve
1Shpirtrat e të drejtëve janë në dorën e Perëndisë,
asnjë mundim nuk do t'i prekë.
2Në sytë e të pamendëve u duk sikur vdiqën,
fundi i tyre u duk si fatkeqësi
3e largimi prej nesh shkatërrim,
por ata janë në paqe.
4Se në sytë e njerëzve ishin si të ndëshkuar,
por shpresën e kanë plot pavdekësi.
5Për një qortim të vogël, do të përfitojnë shumë,
se Perëndia i provoi
e dolën të denjë për të.
6Si arin në furrë i sprovoi
dhe i pranoi si fli shkrumbimi.
7Në kohën e gjykimit, do të shkëlqejnë,
do të vrapojnë si shkëndijat në kashtë,
8do të gjykojnë kombet e do të sundojnë popujt,
Zoti do t'i lërë të mbretërojnë përjetë.
9Ata që besojnë në të do të kuptojnë të vërtetën,
besnikët do të banojnë me të në dashuri,
se hir dhe mëshirë do të kenë të zgjedhurit e tij.
10Të pabesët do të ndëshkohen sipas mendimeve të tyre,
ata që shpërfillën të drejtin dhe u larguan nga Zoti.
11Kush përbuz urtinë dhe mësimet e saj është mjeran,
shpresa e tyre është e kotë,
mundi i tyre s'ka dobi,
punët e tyre janë pa vlerë.
12Gratë e tyre janë të marra,
bijtë e tyre të ligj,
të mallkuara janë pjellat e tyre.
13Lum shterpa e panjollë,
që nuk ngjizi me mëkat,
kur të gjykohen shpirtrat, do të japë fryt.
14Edhe eunukut, që s'bëri paudhësi me duar,
as mendoi punë të liga kundër Zotit,
do t'i jepet hiri i zgjedhur i besimit
dhe short i kënaqshëm në tempullin e Zotit.
15Sepse fryti i përpjekjeve të mira është i lavdishëm,
rrënja e mençurisë nuk gabon.
16Por bijtë e kurvërisë do të mbeten të papjekur,
nga barku i paligjshëm fara do të shkatërrohet.
17Edhe po jetuan gjatë, askush s'i llogarit,
fund pa nder do të jetë pleqëria e tyre.
18Në vdekshin shpejt, s'do të kenë shpresë,
as ngushëllim në ditën e gjykimit;
19fund të dhimbshëm do të kenë pasardhësit e të padrejtit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Urtia 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr