Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.
Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në të njëjtin trup, qofshin hebrenjtë apo grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë jemi ujitur në të njëjtin Frymë.
Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.
Sikur të thoshte këmba: ''Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit'', mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
Dhe sikur veshi të thoshte: ''Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit'', mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?
Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.
Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.
Dhe syri nuk mund t'i thotë dorës: ''Unë nuk kam nevojë për ty''; dhe po ashtu koka nuk mund t'u thotë këmbëve: ''Unë nuk kam nevojë për ju''.
Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat;
dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijeshi.
Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut,
që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën.
Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.