1 Gjonit 3:11-18
1 Gjonit 3:11-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kjo është porosia që keni dëgjuar që nga fillimi: ta duam njëri-tjetrin, jo si Kaini, që ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe përse e vrau? Ngaqë veprat e tij ishin të liga, ndërsa veprat e vëllait të tij ishin të drejta. Mos u habisni, vëllezër, nëse bota ju urren! Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. Ai që nuk ka dashuri mbetet në vdekje. Kush urren vëllanë është njeri-vrasës dhe ju e dini se asnjë njeri-vrasës nuk ka më jetë të amshuar. Ja si e njohëm dashurinë: Jezu Krishti dha jetën e tij për ne, prandaj edhe ne duhet të japim jetën për vëllezërit tanë. Nëse dikush që ka të mirat e kësaj bote shikon vëllanë e vet në nevojë, por e ngurtëson zemrën ndaj tij, si mund të qëndrojë në të dashuria e Perëndisë? Bijtë e mi, të mos duam me fjalë a me gojë, por me vepra dhe me të vërtetë.
1 Gjonit 3:11-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njëri-tjetrin, jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arsye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta. Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren. Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje. Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete. Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit. Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë? Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.