Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 3:1-28

1 i Mbretërve 3:1-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Solomoni lidhi krushqi me faraonin, mbretin e Egjiptit, dhe u martua me bijën e tij. Gruan e solli në qytetin e Davidit, derisa të mbaronte së ndërtuari shtëpinë e vet, tempullin e ZOTIT dhe muret rrethuese të Jerusalemit. Në atë kohë populli i kushtonte flijimet nëpër faltore në vende të larta, sepse tempulli për nder të emrit të ZOTIT nuk ishte ndërtuar ende. Solomoni e donte ZOTIN dhe jetonte sipas porosive që i kishte lënë i ati, Davidi. Por edhe ai kushtonte flijime e digjte temjan nëpër faltore në vende të larta. Kështu, Solomoni shkoi në Gibeon për të kushtuar flijime, sepse atje ishte faltorja më e rëndësishme në vende të larta. Mbi atë altar Solomoni kushtoi një mijë fli shkrumbimi. Në Gibeon, ZOTI iu shfaq Solomonit në ëndërr natën dhe e pyeti: «Kërko ç'të duash e unë do të ta jap». Solomoni i tha: «Ti ke treguar mirësi të madhe me shërbëtorin tënd, Davidin, atin tim, sepse ai jetoi në praninë tënde me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të ndershme ndaj teje. Ti i qëndrove besnik kësaj mirësisë sate të madhe dhe i dhe një bir, që të ulet në fronin e tij, siç ndodh sot. E tani, o ZOT, Perëndia im, ti më ke bërë mbret në vend të Davidit, atit tim, megjithëse unë jam veçse një djalosh i ri dhe nuk di si të mbretëroj. Shërbëtori yt gjendet mes popullit tënd të zgjedhur, mes një populli aq të madh, sa nuk mund të numërohet. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të urtë, që të mund ta udhëheqë popullin tënd dhe të dijë të dallojë të mirën nga e keqja, sepse kush mund ta udhëheqë popullin tënd kaq të madh?». Zotit i pëlqeu kërkesa që bëri Solomoni. Atëherë Perëndia i tha: «Meqë kërkove këtë gjë dhe nuk më kërkove as jetë të gjatë, as pasuri e as vdekjen e armiqve të tu, por dije për të udhëhequr, ja, po bëj siç më kërkove dhe po të jap një zemër me aq urti e dije, saqë nuk e ka pasur askush para teje e nuk do ta ketë askush pas teje. Po të jap edhe çka nuk kërkove: pasuri e lavdi. Kështu, gjatë gjithë jetës sate, nuk do të ketë mbret të ngjashëm me ty. E nëse do të ecësh udhëve të mia, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri ati yt, Davidi, do të të jap jetë të gjatë». Atëherë Solomoni u zgjua dhe pa se kishte qenë në ëndërr. Mandej u kthye në Jerusalem, shkoi para arkës së besëlidhjes së Zotit, kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi dhe shtroi një gosti për të gjithë shërbëtorët e tij. Një ditë, para mbretit shkuan e u paraqitën dy lavire. Njëra nga gratë tha: «Me leje, imzot. Unë dhe kjo grua jetojmë në të njëjtën shtëpi. Mua më lindi një fëmijë, kur ishte edhe kjo në shtëpi. Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua. Banonim bashkë dhe në shtëpi nuk kishte njeri tjetër, përveç ne të dyjave. Një natë fëmija i saj vdiq, sepse atë e kishte zënë gjumi mbi fëmijën. Ajo u ngrit në mes të natës, ma mori djalin nga gjiri, teksa unë flija, dhe e çoi në shtratin e vet, ndërsa mua më vuri në gji djalin e saj të vdekur. Kur u ngrita në mëngjes për t'i dhënë gji djalit, pashë se kishte vdekur. Pastaj e këqyra me kujdes në dritë dhe pashë se nuk ishte djali që kisha lindur unë». Gruaja tjetër tha: «Jo, fëmija i gjallë është djali im, ndërsa djali yt ka vdekur». Tjetra iu përgjigj: «Jo, djali yt ka vdekur, e djali im jeton». E kështu grindeshin para mbretit. Atëherë mbreti tha: «Njëra thotë: “Djali im është gjallë, ndërsa djali yt ka vdekur”, tjetra i përgjigjet: “Jo, ka vdekur djali yt. Gjallë është djali im”». Pastaj mbreti tha: «Më sillni një shpatë». Kur i sollën shpatën, tha: «Ndajeni foshnjën e gjallë më dysh dhe jepjani gjysmën njërës e gjysmën tjetrës». Por gruas, djali i së cilës ishte gjallë, iu dhimbs shumë fëmija, prandaj i tha mbretit: «Të lutem, imzot, jepjani asaj foshnjën e gjallë. Mos e vrisni». Ndërsa gruaja tjetër tha: «Të mos jetë as i imi, as i yti. Ndajeni!». Atëherë mbreti u përgjigj e tha: «Jepjani gruas së parë fëmijën e mos e vrisni. Ajo është nëna e foshnjës». Mbarë Izraeli mori vesh për gjykimin e mbretit dhe pati nderim për të, sepse panë se mbreti kishte urtinë e Perëndisë për të bërë drejtësi.

1 i Mbretërve 3:1-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Salomoni bëri krushqi me Faraonin, mbretin e Egjiptit. U martua me të bijën e Faraonit dhe e çoi në qytetin e Davidit, derisa të mbaronte së ndërtuari shtëpinë e tij, shtëpinë e Zotit dhe muret rrethuese të Jeruzalemit. Populli ofronte flijime në vendet e larta, sepse deri në atë ditë nuk ishte ndërtuar akoma një tempull në emër të Zotit. Salomoni e donte Zotin dhe respektonte statutet e Davidit, atit të tij; megjithatë ofronte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta. Mbreti shkoi në Gabaon për të ofruar flijime, sepse ky ishte vendi i lartë më i rëndësishëm; dhe mbi këtë altar Salomoni ofroi një mijë holokauste. Në Gabaon, Zoti i doli në ëndërr natën Salomonit. Perëndia i tha: "Kërko ç'të duash dhe unë do ta jap". Salomoni u përgjigj: "Ti ke treguar një dashamirësi të madhe ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, sepse ai ecte para teje me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të pastër ndaj teje; ti ke vazhduar të shfaqësh ndaj tij këtë dashamirësi të madhe dhe i ke dhënë një bir që të ulet mbi fronin e tij, siç po ndodh sot. Tani, o Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt në vend të Davidit, atit tim, por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem. Përveç kësaj shërbëtori yt është në mes të popullit që ti ke zgjedhur, një popull i madh, tepër i shumtë për t'u numëruar dhe llogaritur. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja. Kush në fakt mund të administrojë drejtësinë për popullin tënd kaq të madh?". I pëlqeu Perëndisë që Salomoni bëri këtë kërkesë. Atëherë Perëndia i tha: "Me qenë se kërkove këtë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por ke kërkuar zgjuarsi për të kuptuar atë që është e drejtë, ja, unë po bëj atë që ti ke kërkuar: po të jap një zemër të urtë dhe të zgjuar, sa nuk ka pasur asnjëri para teje dhe nuk ka për të dalë askush si ti mbas teje. Po të jap edhe atë që nuk ke kërkuar: pasuri dhe lavdi, kështu që midis mbretërve nuk do të ketë asnjë si ti, për të gjitha ditët e jetës sate. Në rast se ti ecën në rrugët e mia duke iu bindur statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, ati yt, unë kam për t'i zgjatur ditët e tua". Salomoni u zgjua, dhe ja, ishte në ëndërr. Atëherë ai u kthye në Jeruzalem, u paraqit para arkës së besëlidhjes të Zotit, ofroi holokauste dhe flijime falënderimi, dhe shtroi një banket për të tërë shërbëtorët e tij. Pastaj erdhën te mbreti dy prostituta dhe u paraqitën para tij. Një nga të dy gratë tha: "O imzot, kjo grua dhe unë banojmë në të njëjtën shtëpi; unë linda kur ajo ishte akoma në shtëpi. Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua; dhe nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç ne të dyjave. Djali i kësaj gruaje vdiq natën, sepse ajo kishte rënë në shtrat sipër tij. Atëherë ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim nga krahu im, ndërsa shërbëtorja jote po flinte, dhe e vuri mbi gjirin e saj, dhe mbi gjirin tim vendosi djalin e saj të vdekur. Kur në mëngjes u ngrita për t'i dhënë gji djalit tim, pashë që kishte vdekur; por kur e këqyra me kujdes në mëngjes, pashë që nuk ishte djali që kisha lindur". Atëherë gruaja tjetër tha: "Nuk është e vërtetë; djali im është ai që jeton, dhe yti është ai i vdekur". Por e para nguli këmbë: "Nuk është e vërtetë; yt bir është ai vdekur dhe imi është ai i gjallë". Kështu grindeshin përpara mbretit. Atëherë mbreti tha: "Njëra thotë: "Ai i gjallë është djali im dhe ai i vdekur është yti". Dhe tjetra thotë: "Nuk është e vërtetë; ai i vdekur është djali yt dhe ai i gjallë është imi"". Atëherë mbreti urdhëroi: "Më sillni një shpatë!". Kështu sollën një shpatë para mbretit. Pastaj mbreti urdhëroi: "Ndajeni fëmijën e gjallë në dy pjesë dhe jepini gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës". Atëherë gruaja e fëmijës së gjallë, që e donte shumë fëmijën e vet, i tha mbretit: "Imzot, jepjani asaj fëmijën e gjallë, por mos e vrisni". Tjetra përkundrazi thoshte: "Të mos jetë as imi, as yti; por ndaheni!". Atëherë mbreti u përgjigj duke thënë: "Jepini së parës fëmijën e gjallë dhe mos e vrisni, sepse ajo është nëna e fëmijës". Tërë Izraeli e mësoi vendimin që u dha nga mbreti dhe patën frikë nga mbreti sepse shihnin që dituria e Perëndisë ishte tek ai për të ushtruar drejtësinë.