Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Pjetrit 2:11-24

1 Pjetrit 2:11-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fort të dashur, meqenëse jeni shtegtarë dhe të përkohshëm, ju lutem të hiqni dorë nga kënaqësitë trupore që luftojnë kundër shpirtit. Sjellja juaj ndër kombet të jetë e mirë. Kështu, edhe nëse ata ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira do të përlëvdojnë Perëndinë në ditën e ardhjes së tij. Nënshtrojuni çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit, qoftë mbretit, si sundimtarit më të lartë, qoftë qeveritarëve, si të dërguar nga Perëndia për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën. Vullneti i Perëndisë është që duke bërë të mirën, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. Silluni si njerëz të lirë e mos e përdorni lirinë si mbulesë për ligësinë, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë. Nderojini të gjithë, duajini vëllezërit në besim, druani Perëndinë, nderoni mbretin. Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë e zemërbutë, por edhe të mbrapshtëve. Se është hir për njeriun që duron mundimet kur vuan padrejtësisht, për shkak se e ka ndërgjegjen sipas Perëndisë. Çfarë vlere ka nëse duroni mundimet kur keni bërë faj? Por nëse duroni vuajtjet kur keni bërë të mirën, kjo është hir para Perëndisë. Për këtë jeni thirrur, sepse edhe Krishti vuajti për ju. Ai ju la shembullin, që të ndiqni edhe ju gjurmët e tij. Ai nuk bëri asnjë mëkat, në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim. Kur poshtërohej, ai nuk poshtëronte, kur vuante, nuk kërcënonte, por ia la veten në dorë Perëndisë që gjykon me drejtësi. Ai i mori mëkatet tona në trupin e vet mbi dru, që ne të vdesim ndaj mëkatit e të jetojmë me drejtësi. Ju u shëruat nga plagët e tij.

1 Pjetrit 2:11-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Shumë të dashur, unë ju këshilloj, si të huaj dhe shtegtarë, të hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit. Silluni mirë ndër johebrenjtë, që aty ku do t'ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së tij, për shkak të veprave tuaja të mira. Nënshtrohuni, pra, për hir të Zotit, çdo pushteti njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit, qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën, sepse ky është vullneti i Perëndisë, që ju, duke bërë mirë, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. Silluni si njerëz të lirë, por jo duke përdorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë. Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin. Ju, shërbëtorë, nënshtrohuni me plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve dhe të drejtëve, por edhe të padrejtëve, sepse është gjë e lavdërueshme, nëse dikush, për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron shtrëngime duke vuajtur padrejtësisht. Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë. Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. ''Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij''. Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht. Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat.