2 i Kronikave 15:1-7
2 i Kronikave 15:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Shpirti i Perëndisë erdhi mbi Azarjahun, birin e Odedit. Ai i doli përpara Asait e i tha: «Dëgjomë, o Asa e mbarë ti, o Judë dhe Benjamin! ZOTI është me ty kur edhe ti je me të. Nëse e kërkoni, do ta gjeni, por, nëse e braktisni, edhe ai do t'ju braktisë. Për shumë kohë izraelitët mbetën pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj, që t'i mësonin, dhe pa ligjin. Por kur u kthyen te ZOTI, Perëndia i Izraelit, për shkak të fatkeqësive dhe e kërkuan, ai iu gjend. Në atë kohë nuk kishte paqe për ata që udhëtonin, sepse kishte shumë trazira mes banorëve të vendit. Një komb ngrihej kundër një kombi tjetër e një qytet sulmonte qytetin tjetër, sepse Perëndia i godiste me fatkeqësi të ndryshme. Por tani, jini të fortë e mos t'ju këputen krahët, sepse vepra juaj do të shpërblehet».
2 i Kronikave 15:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Azarisahun, birin i Odedit, që doli të takojë Asan dhe i tha: "Asa, dhe ju të gjithë nga Juda dhe nga Beniamini, më dëgjoni! Zoti është me ju, kur ju jeni me të. Në rast se e kërkoni, ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t'ju braktisë. Për një kohë të gjatë Izraeli ka qenë pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj që të jepnin mësim dhe pa ligj. Por në fatkeqësinë e tyre ata u rikthyen tek Zoti, Perëndia i Izraelit, e kërkuan dhe ai i la ta gjenin. Në atë kohë nuk kishte siguri për ata që shkonin e vinin, sepse të gjithë banorët e vendeve ishin shumë të shqetësuar. Një komb shtypej nga një tjetër, një qytet nga një tjetër, sepse Perëndia i hidhëronte me fatkeqësi të çdo lloji. Por ju jeni të fortë dhe mos lini që krahët tuaja të dobësohen, sepse puna juaj do të shpërblehet.