Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 26:4-18

Veprat e Apostujve 26:4-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të gjithë judenjtë e dinë sesi kam jetuar që kur kam qenë i ri. Kam jetuar që nga fillimi mes popullit tim, në Jerusalem. Ata më njohin që prej shumë kohësh dhe mund të dëshmojnë se unë i përkisja sektit më të rreptë të fesë sonë dhe se kam jetuar si farise. Ndërsa tani qëndroj këtu për t'u gjykuar për shkak se shpresoj në premtimin që Perëndia u ka dhënë etërve tanë, të cilin dymbëdhjetë fiset tona shpresojnë ta arrijnë, duke adhuruar Perëndinë ditë e natë me përkushtim. Për këtë shpresë, o mbret, më kanë paditur judenjtë. Përse ju duket e pabesueshme që Perëndia të ngjallë të vdekurit? Edhe unë vetë kam menduar se duhej të bëja gjithçka që mundesha kundër emrit të Jezuit të Nazaretit dhe këtë gjë bëra në Jerusalem. Me pushtetin që mora nga kryepriftërinjtë kam çuar në burg shumë nga të shenjtët dhe kam dhënë miratimin tim kur i dënonin me vdekje. Shpeshherë, në të gjitha sinagogat, jam munduar që me anë të dhunës t'i detyroj të mohojnë besimin e tyre dhe zemërimi im kundër tyre ishte aq i madh, saqë i kam përndjekur edhe në qytetet e huaja». «Kështu, u nisa për në Damask me pushtetin e lejen e kryepriftërinjve. Gjatë rrugës, aty nga mesdita, o mbret, pashë një dritë nga qielli, që ishte më e shndritshme se dielli, që shndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin me mua. Ramë të gjithë përdhe dhe unë dëgjova një zë që më tha në hebraisht: “Saul, Saul, përse më përndjek? Do të lëndohesh duke hedhur shkelma kundër hostenit”. Unë e pyeta: “Kush je ti, o Zot?”. Zoti m'u përgjigj: “Unë jam Jezui që ti po përndjek, por ngrihu e qëndro në këmbë. T'u shfaqa që të të bëj shërbëtorin tim e që të dëshmosh ato që pe dhe ato që do të të tregoj. Unë do të të mbroj edhe nga populli yt, edhe nga kombet, te të cilat po të dërgoj, që t'u hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve e do të kenë pjesë me të shenjtëruarit”».

Veprat e Apostujve 26:4-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Se cila ka qenë mënyra ime e të jetuarit që nga rinia, të cilën e kalova tërësisht në Jeruzalem në mes të popullit tim, të gjithë judenjtë e dinë. Ata më njohin qysh atëherë dhe mund të dëshmojnë, po deshën, se kam jetuar si farise, sipas sektit më të drejtë të fesë sonë. Dhe tani ndodhem para gjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë, premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë; për këtë shpresë, o mbret Agripa, unë jam akuzuar nga judenjtë. Përse vallë mendoni se është e pabesueshme që Perëndia t'i ringjallë të vdekurit? Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit nazarenas. Dhe këtë kam bërë në Jeruzalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim. Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja. Në kohën kur unë po merresha me këtë punë dhe po shkoja në Damask me autorizim dhe me fuqi të plota nga krerët e priftërinjve, në mesditë, o mbret, në rrugë unë pashë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se dielli, e cila vetëtiu rreth meje dhe rreth atyre që udhëtonin me mua. Mbasi të gjithë ne ramë përtokë, dëgjova një zë që po më fliste dhe më tha në gjuhën hebraike: "Saul, Saul, pse më përndjek? Është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave". Unë thashë: "Kush je ti, Zot?". Ai tha: "Unë jam Jezusi, të cilin ti e përndjek. Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të shfaqem, duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani, që t'u çelësh sytë atyre dhe t'i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve".