Veprat e Apostujve 5:1-11
Veprat e Apostujve 5:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një burrë që quhej Hananiah, bashkë me gruan e tij Sapfirën, shiti një pronë. Një pjesë të fitimit e fshehu, me dijeninë e gruas, ndërsa pjesën tjetër ua dorëzoi apostujve. Atëherë Pjetri i tha: «Hananiah, pse ta pushtoi zemrën Satani, që të gënjesh Shpirtin e shenjtë e të fshehësh një pjesë të fitimit të tokës? Sa ishte pa shitur, a nuk ishte e jotja? Dhe kur e shite, a nuk e kishe ti në dorë të bëje ç'të doje me fitimin? Si vallë zuri vend në zemrën tënde ky veprim? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por ke gënjyer Perëndinë». Kur dëgjoi këto fjalë, Hananiahu u rrëzua e dha shpirt. Të gjithë ata që i dëgjuan këto, i zuri një frikë e madhe. Atëherë disa të rinj u ngritën, e mbështollën, e morën dhe e varrosën. Rreth tri orë më vonë hyri gruaja e Hananiahut, e cila nuk dinte çfarë kishte ndodhur. Pjetri e pyeti: «Më thuaj, për kaq e shitët tokën?». Ajo i tha: «Po, për kaq». Atëherë Pjetri i tha: «Pse u bëtë në një mendje për të vënë në provë Shpirtin e Zotit? Ja, janë te dera ata që varrosën burrin tënd dhe që do të të mbartin edhe ty që këtej». Dhe menjëherë ajo u rrëzua te këmbët e tij e dha shpirt. Kur të rinjtë hynë brenda, e gjetën të vdekur. Atëherë e morën edhe atë që andej dhe e varrosën pranë burrit të vet. Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe.
Veprat e Apostujve 5:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kurse një farë burri, me emër Anania, me gruan e vet Safira, shiti një arë, por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve. Por Pjetri i tha: ''Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës? Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!''. Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra. Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën. Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç'kishte ndodhur. Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: ''Më thuaj, a e shitët arën për kaq?''. Dhe ajo u përgjigj: ''Po, për aq''. Atëherë Pjetri i tha: ''Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!''. Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj. Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra.