Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kolosianëve 3:1-19

Kolosianëve 3:1-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Përderisa u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni gjërat që janë lart në qiej, atje ku ai rri ulur në të djathtën e Perëndisë. Mendoni për gjërat që janë lart në qiej dhe jo për ato që janë këtu poshtë në tokë. Sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj qëndron e fshehur me Krishtin te Perëndia. Kur të shfaqet Krishti, jeta juaj, atëherë do të shfaqeni edhe ju bashkë me të në lavdi. Bëjini të vdesin gjërat tuaja tokësore: kurvërinë, ndyrësinë, epshet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre gjërave do të vijë zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Dikur edhe ju ecnit kësaj udhe, kur jetonit me këto gjëra. Por tani, hidhini tej të gjitha: zemërimin, mërinë, ligësinë, sharjet dhe fjalët e ndyra që nxirrni nga goja. Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse e keni zhveshur njeriun e vjetër, bashkë me sjelljet e tij, dhe keni veshur njeriun e ri, që përtërihet vazhdimisht, sipas shëmbëllimit të Perëndisë që e krijoi, që ta njihni plotësisht Perëndinë. Prandaj, nuk ka më helenë e judenj, të rrethprerë dhe të parrethprerë, barbarë, skitas, shërbëtorë e të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në çdo gjë. Perëndia ju ka thirrur, ju ka bërë të shenjtë dhe ju ka dashur, prandaj, vishuni me dhembshuri, me mirësi, me përulësi, me zemërbutësi dhe me zemërgjerësi. Durojeni dhe faleni njëri-tjetrin sa herë që dikush të ketë ankesë kundër ndonjë tjetri. Falni ashtu si edhe Zoti ju ka falur. Mbi të gjitha, kini dashuri, sepse dashuria do t'ju bashkojë në mënyrë të përsosur. Paqja e Krishtit, në të cilën Perëndia ju ka thirrur të jeni të bashkuar si një trup i vetëm, mbretëroftë në zemrat tuaja. Jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me gjithë begatinë e saj. Mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me urti! Këndojini me gjithë zemër Perëndisë psalme, himne e këngë shpirtërore! Gjithçka që thoni e gjithçka që bëni, ta bëni në emër të Zotit Jezu, duke falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë. Ju gra, nënshtrojuni burrave, siç ka hije në sytë e Zotit! Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të ashpër me to!

Kolosianëve 3:1-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë, sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të. Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes, midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to. Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj. Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shembullit të atij që e krijoi. Këtu nuk ka më grek e jude, rrethprerje dhe parrethprerje, barbar e skithas, skllav e të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë. Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë. Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t'i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij. Ju gratë, jini të nënshtruara burrave tuaj, ashtu si ka hije në Zotin. Ju burrat, duajini gratë tuaja dhe mos u bëni të hidhur ndaj tyre.