Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 16:1-16

Eksodi 16:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Tërë bashkësia e Izraelit u nis nga Elimi dhe arriti në shkretëtirën e Sinit që është mes Sinait dhe Elimit. Kjo ndodhi në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë pasi dolën nga toka e Egjiptit. Kur ishin në shkretëtirë, tërë bashkësia e Izraelit zuri të murmuritë kundër Moisiut e Aronit e thoshin: «Ah, sikur të kishim vdekur prej dorës së ZOTIT në tokën e Egjiptit, kur uleshim pranë sofrës me mish e ngiheshim me bukë! E ju e nxorët tërë këtë bashkësi në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria». Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Ja, do të bëj të bjerë bukë prej qiellit dhe populli do të dalë çdo ditë të mbledhë ushqimin e përditshëm. Kështu do ta vë në provë nëse do ta ndjekë ligjin tim apo jo. Ditën e gjashtë mblidhni dyfishin e ushqimit të çdo dite tjetër». Pastaj Moisiu e Aroni u thanë izraelitëve: «Në mbrëmje do të kuptoni se ZOTI është ai që ju nxori nga toka e Egjiptit dhe në mëngjes do të shihni lavdinë e ZOTIT, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Sa për mua dhe Aronin, kush jemi ne që murmuritni kundër nesh?!». Moisiu vijoi: «ZOTI është ai që në mbrëmje do t'ju japë mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë që të ngiheni. ZOTI i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Kush qenkemi ne? Nuk po murmurtni kundër nesh, por kundër ZOTIT». Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë bashkësisë së Izraelit: “Ejani para ZOTIT, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja!”». Ndërsa Aroni po i fliste bashkësisë së Izraelit, ata u kthyen drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e ZOTIT u dëftua në re. ZOTI i tha Moisiut: «I dëgjova murmuritjet e izraelitëve, prandaj thuaju: “Në mbrëmje do të hani mish, ndërsa në mëngjes do të ngiheni me bukë. Kështu do ta kuptoni se unë, ZOTI, jam Perëndia juaj”». Kështu, në mbrëmje ia behën shkurtat dhe mbuluan fushimin e izraelitëve. Në mëngjes ra një shtresë vese përreth tyre. Kur vesa u zhduk, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një shtresë e hollë, e imët porsi bryma mbi tokë. Kur e panë, izraelitët pyetën njëri-tjetrin: «Ç'është kjo?», sepse nuk e dinin çfarë ishte. Atëherë Moisiu u tha: «Kjo është buka që ZOTI ju ka dhënë për të ngrënë. Ja çfarë urdhëron ZOTI: “Secili të mbledhë aq sa i duhet për të ngrënë. Mblidhni rreth një omer për frymë, sipas numrit të anëtarëve që secili ka në tendën e vet”».

Eksodi 16:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj ata u nisën nga Elimi dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit, që ndodhet midis Elimit dhe Sinait, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë mbas nisjes së tyre nga vendi i Egjiptit. Dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë. Bijtë e Izraelit u thanë atyre: "Ah, le të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria tërë kjo asamble". Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo sipas ligjit tim. Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë". Atëherë Moisiu dhe Aaroni u thanë gjithë bijve të Izraelit: "Në mbrëmje do të mësoni që Zoti është ai që ju nxori nga vendi i Egjiptit; dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Zotit, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër Zotit; por ne çfarë jemi që murmurisni kundër nesh?". Moisiu tha akoma: "Kjo ka për të ndodhur, kur Zoti do t'ju japë mish për të ngrënë në mbrëmje dhe bukë që të ngopeni në mëngjes, sepse Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Po ne çfarë jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Zotit". Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: "Afrohuni para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja"". Ndërsa Aaroni i fliste tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ata u sollën drejt shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në re. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: "Unë i dëgjova murmuritjet e bijve të Izraelit; folu atyre, duke thënë: "Në të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë; dhe do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj"". Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit. Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë. Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njëri-tjetrit: "Çfarë është?", sepse nuk e dinin se ç'ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë. Ja çfarë ka urdhëruar Zoti: Secili të mbledhë aq sa i duhet për ushqimin e tij, një omer për frymë, sipas numrit të personave që jeni; secili nga ju të marrë për ata që janë në çadrën e tij".