Galatasve 5:1-12
Galatasve 5:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Krishti na çliroi që të jemi të lirë, prandaj qëndroni fort e mos bini sërish nën zgjedhën e skllavërisë. Ja, unë Pali po ju them se nëse rrethpriteni, Krishti nuk do t'ju vlejë aspak. Kujtdo që rrethpritet, po ia bëj të ditur se është i detyruar të zbatojë tërë ligjin. Ju që doni të bëheni të drejtë me anë të ligjit të Moisiut jeni ndarë nga Krishti dhe jeni larguar nga hiri i Perëndisë. Sepse në Shpirtin, me anë të besimit, ne presim me shpresë që Perëndia të na bëjë të drejtë. Për atë që është i bashkuar me Krishtin Jezu nuk ka vlerë as rrethprerja, as parrethprerja, por besimi që vepron përmes dashurisë. Ju po vraponit mirë. Kush ju pengoi të mos i bindeni të vërtetës? Ato që ju kanë thënë për t'ju mbushur mendjen, nuk vijnë prej Perëndisë që ju thirri. Pak tharm duhet që të vijë tërë brumi. Zoti më jep bindjen se ju nuk do të mendoni ndryshe. Por ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do të marrë ndëshkimin. Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më pengesë. U gjymtofshin ata që po ju trazojnë.
Galatasve 5:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë. Ja, unë, Pali, po ju them se, në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t'ju bëjë dobi aspak. Edhe i dëshmoj përsëri çdo njeriu që rrethpritet, se ai është i detyruar të zbatojë mbarë ligjin. Ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni ndarë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri. Ne në fakt në Frymë, nëpërmjet besimit presim shpresën e drejtësisë, sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s'kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie. Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës? Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret. Pak maja e bën të vijë gjithë brumin. Kam besim te Perëndia për ju, se nuk do të mendoni ndryshe; por ai që ju turbullon juve, kushdo qoftë, do të marrë dënimin. Sa për mua, o vëllezër, në qoftë se unë vazhdoj të predikoj rrethprerjen, përse më përndjekin akoma? Atëherë skandali i kryqit ra poshtë. Oh, sikur ata që ju turbullojnë, të gjymtoheshin vetë!