Zanafilla 1:1-9
Zanafilla 1:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në fillim Perëndia krijoi qiejt e tokën. Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; një terr mbulonte humnerën dhe shpirti i Perëndisë fluturonte mbi ujërat. Atëherë Perëndia tha: «Le të bëhet drita!». Dhe drita u bë. Perëndia pa se drita ishte e mirë dhe e ndau dritën nga errësira. Perëndia e quajti dritën ditë, ndërsa errësirën e quajti natë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e parë. Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet një kube mes ujërave e le t'i ndajë ujërat nga ujërat». Perëndia e bëri kubenë dhe i ndau ujërat që ishin nën kube prej ujërave që ishin mbi kube. Dhe kështu u bë. Perëndia e quajti kubenë qiell. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e dytë. Pastaj Perëndia tha: «Le të mblidhen ujërat nën qiell në një vend e le të shfaqet tera». Dhe kështu u bë.
Zanafilla 1:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave. Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë. Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë. Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t'i ndajë ujërat nga ujërat". Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë. Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë.