Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 18:23-33

Zanafilla 18:23-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Abrahami u afrua e tha: «A do ta zhdukësh, me të vërtetë, të drejtin bashkë me të ligun? Ndoshta qyteti ka pesëdhjetë njerëz të drejtë. Me të vërtetë do ta zhdukësh e nuk do ta falësh për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë aty? Larg qoftë që ta bësh këtë, të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, duke i trajtuar të drejtin e të ligun njësoj. Larg qoftë! Vallë, gjykatësi i gjithë tokës nuk do të tregohet i drejtë?». ZOTI tha: «Nëse gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, për hir të tyre do ta fal tërë vendin». Abrahami iu përgjigj: «Ja, unë që jam pluhur e hi po marr guximin të flas me Zotin tim. Ndoshta, këtyre pesëdhjetë njerëzve të drejtë u mungojnë pesë njerëz. A do ta shkatërrosh tërë qytetin për shkak të këtyre të pestëve?». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj, nëse atje gjej dyzet e pesë». Abrahami i tha përsëri: «Ndoshta do të gjenden vetëm dyzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dyzetëve». Pastaj, Abrahami i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them: ndoshta atje do të gjenden vetëm tridhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj nëse gjej tridhjetë». Abrahami i tha: «Ja, po marr guximin të flas përsëri me Zotin tim: ndoshta, atje do të gjenden vetëm njëzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve». Atëherë ai i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them për herë të fundit: ndoshta atje do të gjenden vetëm dhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve». Kur ZOTI mbaroi së foluri me Abrahamin, u largua dhe Abrahami u kthye në vendin e tij.

Zanafilla 18:23-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Abrahami iu afrua dhe i tha: "Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin? Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet, ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t'i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë në mes të saj? Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?". Zoti tha: "Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre". Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: "Ja, marr guximin t'i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi. Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?". Zoti u përgjigj: "Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj". Abrahami vazhdoi t'i flasë dhe tha: "Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve". Atëherë Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë". Dhe Abrahami i tha: "Ja, marr guximin t'i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?". Zoti iu përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve". Dhe Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti dhe unë do të flas edhe vetëm këtë herë. Sikur në qytet të ketë dhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve". Sa mbaroi së foluri me Abrahamin, Zoti u largua. Dhe Abrahami u kthye në banesën e tij.