Zanafilla 21:1-7
Zanafilla 21:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI e pa me sy të mirë Sarën ashtu siç i kishte thënë dhe bëri për të siç kishte premtuar. Sara mbeti shtatzënë dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqëri, në po atë kohë që Perëndia i kishte thënë. Birin që i lindi Sara, Abrahami e quajti Isak. Kur u bë tetëditësh e rrethpreu ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. Abrahami ishte njëqind vjeç kur i lindi Isaku, i biri. Atëherë Sara tha: «Perëndia më bëri të qesh. Kush do të dëgjojë, do të qeshë me mua». Ajo tha: «Kush do të mund t'i thoshte Abrahamit: “Sara do të mëndë fëmijë!”? Por, ja ku i linda një djalë në pleqëri».
Zanafilla 21:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti vizitoi Sarën, siç i kishte thënë; dhe Zoti i bëri Sarës ato që i kishte premtuar. Dhe Sara u ngjiz dhe lindi një djalë me Abrahamin në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar që Perëndia i kishte thënë. Dhe Abrahami ia vuri emrin Isak birit që i kishte lindur dhe që Sara kishte pjellë. Pastaj Abrahami e rrethpreu birin e tij Isak kur ishte tetë ditësh, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. Por Abrahami ishte njëqind vjeç, kur i lindi biri i tij Isaku. Dhe Sara tha: "Perëndia më ka dhënë çka duhet për të qeshur, kushdo që do ta dëgjojë ka për të qeshur bashkë me mua". Dhe tha gjithashtu: "Kush mund t'i thoshte Abrahamit që Sara do të mëndte fëmijë? Sepse unë i linda një djalë në pleqërinë e tij".