Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 3:1-24

Zanafilla 3:1-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që ZOTI Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?». Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë, por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”». Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo, sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen». Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve. Pastaj dëgjuan zërin e ZOTIT Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e ZOTIT Perëndi mes pemëve të kopshtit. ZOTI Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?». Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha». Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?». Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra». ZOTI Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra». ZOTI Perëndi i tha gjarprit: «Për këtë që bëre, mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra. Mbi bark do të zvarritesh e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde. Armiqësi do të shtie mes teje e gruas, mes farës tënde e farës së saj që do të ta shtypë kokën, ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën». Gruas i tha: «Shumë dhimbje barre do të të jap e me mundim do t'i lindësh fëmijët. Burrin tënd do ta dëshirosh, por ai do të sundojë mbi ty». Adamit i tha: «Meqë dëgjove gruan e hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash, mallkuar qoftë toka për shkakun tënd! Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate. Gjemba e ferra do të prodhojë për ty e bimët e fushës do të hash. Me djersën e ballit do ta nxjerrësh bukën e gojës derisa të kthehesh në dhe, se prej tij u nxore, pluhur je e në pluhur do të kthehesh». Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve. ZOTI Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata. Pastaj ZOTI Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë». Prandaj ZOTI Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor. E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës.

Zanafilla 3:1-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"". Dhe gruaja iu përgjigj gjarprit: "Nga fruta e pemëve të kopshtit mund të hamë; por nga fruta e pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni"". Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s'keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen". Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruta e saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar. Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit. Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?". Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha". Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?". Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra". Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj". Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj". Gruas i tha: "Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty". Pastaj i tha Adamit: "Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: "Mos ha prej saj", toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frytin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave; do të hash bukën me djersën e ballit, derisa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh". Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve. Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi. Dhe Zoti Perëndi tha: "Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t'i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë përgjithnjë". Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë. Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.