Zanafilla 6:1-22
Zanafilla 6:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur njeriu filloi të shumohet mbi faqen e tokës e i lindën bija, bijtë e Perëndisë panë se bijat e njeriut ishin të bukura dhe morën për gra ato që zgjodhën. ZOTI tha: «Shpirti im nuk do të qëndrojë me njeriun përgjithmonë, sepse ai është mish dhe ditët e jetës së tij do të jenë njëqind e njëzet vjet». Në ato kohë nefilimët jetonin në tokë, po ashtu edhe më vonë kur bijtë e Perëndisë morën për gra bijat e njeriut dhe ato u lindën fëmijë. Këta ishin kreshnikët e lashtësisë, njerëz me emër. ZOTI pa se ligësia e njeriut mbi tokë ishte e madhe dhe, tërë kohën, mendimet e zemrës së tij nuk synonin gjë tjetër veçse të keqen. ZOTIT i erdhi keq që kishte bërë njeriun mbi tokë dhe u pikëllua në zemër. ZOTI tha: «Do ta shuaj nga faqja e dheut njeriun që krijova, njeriun bashkë me bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit, se u pendova që i krijova». Por Noeu gjeti hir para ZOTIT. Kjo është historia e Noeut. Noeu ishte njeri i drejtë, i patëmetë ndër bashkëkohësit e tij dhe jetonte me Perëndinë. Atij i lindën tre djem, Semi, Kami e Jafeti. Toka ishte shthurur para syve të Perëndisë e ishte mbushur me dhunë. Perëndia pa tokën dhe, ja, ajo ishte e prishur pasi çdo njeri mbi tokë bënte jetë të shthurur. Perëndia i tha Noeut: «Kam vendosur t'i jap fund çdo njeriu, se e kanë mbushur tokën me dhunë. Ja, do t'i zhduk bashkë me tokën. Bëj një arkë me dru goferi, bëje me dhoma e lyeje brenda e jashtë me zift. Ja si do ta bësh: treqind kute të gjatë, pesëdhjetë kute të gjerë e tridhjetë kute të lartë. Bëj një çati për arkën e ngrije një kut më lart. Derën e arkës vëre anash e bëj një kat përdhe, një të dytë e një të tretë. Dhe ja, unë do të sjell përmbytjen mbi tokë që të mbytë çdo qenie të gjallë nën qiell. Çdo gjë që është mbi tokë do të marrë fund. Por besëlidhjen time do ta bëj me ty e ti, bashkë me bijtë e tu, me gruan tënde e me gratë e bijve të tu, do të hysh në arkë. Dhe nga çdo gjallesë e gjë e gjallë do të marrësh në arkë dy prej çdo lloji, që të mbeten gjallë bashkë me ty. Mashkull e femër do të jenë. Prej shpendëve sipas llojit të tyre, prej bagëtive sipas llojit të tyre e prej çdo zvarraniku të tokës sipas llojit të tyre, dy prej çdo lloji do të vijnë te ti që të mbeten gjallë. Merr e grumbullo për vete prej çdo lloji ushqimi që hahet. Do të jetë ushqim për ty e për kafshët». Dhe Noeu kështu veproi. Bëri gjithçka siç e kishte urdhëruar Perëndia.
Zanafilla 6:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur njerëzit filluan të shumohen mbi faqen e dheut dhe u lindën atyre vajza, djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë. Dhe Zoti tha: "Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet". Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve. Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet. Kështu Zoti tha: "Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar". Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit. Kjo është prejardhja e Noeut. Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë. Dhe Noeu pati tre bij: Semin, Kamin dhe Jafetin. Por toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë. Tani Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij. Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kam vendosur t'i jap fund çdo mishi, sepse toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja, unë do t'i zhduk bashkë me tokën. Bëj një arkë prej druri; bëje arkën me dhoma dhe lyeje me bitum nga jashtë e nga brenda. Por ti do ta ndërtosh në këtë mënyrë: gjatësia e arkës do të jetë treqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë dhe lartësia tridhjetë. Do ta bësh arkën me një dritare dhe do ta mbarosh me një kubit mbulese nga sipër; anash arkës do të vendosësh derën dhe do ta bësh me tre kate, pra me katin e poshtëm, të mesëm dhe të sipërm. Dhe ja, unë vetë kam për të sjellë përmbytjen e ujërave mbi tokë, për të shkatërruar nën qiellin çdo mish që ka shenjë jete; çdo gjë që ndodhet mbi tokën ka për të vdekur. Por unë do të caktoj besëlidhjen time me ty dhe ti do të futesh në arkën: ti, fëmijët e tu, gruaja jote dhe gratë e bijve të tu. Dhe nga çdo gjë që jeton prej çdo lloj mishi fut në arkë dy nga çdo lloj, për t'i ruajtur me vete gjallë bashkë me ty; dhe të jenë mashkull dhe femër. Nga zogjtë, nga bagëtia dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës sipas llojit të tyre, dy nga çdo lloj do të vijnë te ti, që të ruhen gjallë. Dhe merr për vete nga çdo ushqim që hahet, grumbulloje dhe ruaje, në mënyrë që të shërbejë si ushqim për ty dhe për ata". Dhe Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar.