Hebrenjve 8:4-10
Hebrenjve 8:4-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit. Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t'u tregua në mal. Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira. Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë. Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha: ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës. Ajo nuk do të jetë si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën kur i mora për dore për t'i nxjerrë nga Egjipti. Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime, prandaj unë i braktisa, thotë Zoti. Besëlidhja që do të lidh me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti, është kjo: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjen e tyre e do t'i shkruaj në zemrat e tyre. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im.
Hebrenjve 8:4-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Po të ishte Ai mbi dhe, nuk do të ishte as prift, sepse ka priftërinj të cilët ofrojnë dhuratat sipas ligjit, që shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së gjërave qiellore, ashtu si i qe folur Moisiut, kur po gatitej të ndërtonte tabernakullin: ''Shiko'', tha Ai, ''t'i bësh të gjitha sipas modelit që të qe treguar në mal''. Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira, sepse, në qoftë se Besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të qe nevoja të kërkohej vend për një tjetër. Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë: ''Ja po vijnë ditët kur do të bëj një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës, jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën që i mora për dore për t'i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti. Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t'i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.