Gjoni 12:1-11
Gjoni 12:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Gjashtë ditë përpara Pashkës, Jezui shkoi në Betani, ku jetonte Lazari, të cilin e kishte ngjallur prej të vdekurve. Atje i shtruan darkën. Marta u shërbente, ndërsa Lazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Jezuin. Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë, e ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës. Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha: «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë e t'u jepeshin të varfërve?». Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave e merrte prej saj çfarë hidhej në të. Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim! Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë». Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje e shkuan jo vetëm për të, por edhe të shikonin Lazarin që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve. Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin, sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij e besonin në Jezuin.
Gjoni 12:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhi në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish. Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të. Atëherë Maria mori një libër vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji. Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha: ''Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t'u jepej fitimi të varfërve?''. Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç'shtinin atje brenda. Jezusi, pra, tha: ''Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim. Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë''. Ndërkaq një turmë e madhe judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish. Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin, sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin judenjtë dhe besonin në Jezusin.